Po trajtohej në QKUK arratiset një i burgosur i Dubravës
Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka njoftuar se një i burgosur, që ishte hospitalizuar më 16 shkurt në QKUK, është arratisur në orët e mëngjesit të së premtes. I arratisuri F.M. ka qenë duke vuajtur dënimin në Qendrën Korrektuese të Dubravës, ndërsa në kohën e arratisjes ka qenë duke u trajtuar në repartin e Onkologjisë,…
Lajme
Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka njoftuar se një i burgosur, që ishte hospitalizuar më 16 shkurt në QKUK, është arratisur në orët e mëngjesit të së premtes.
I arratisuri F.M. ka qenë duke vuajtur dënimin në Qendrën Korrektuese të Dubravës, ndërsa në kohën e arratisjes ka qenë duke u trajtuar në repartin e Onkologjisë, kati i dytë, dhoma nr. 2, së bashku me pacientë të tjerë.
“I njëjti është i dënuar për Veprën Penale Vjedhje e Rëndë, është arrestuar më 24.10.2025 dhe është duke mbajtur dënimin me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vitesh dhe do të lirohej më 08.06.2029”.
“Menjëherë pas rastit, është njoftuar Policia e Kosovës dhe është themeluar komision i brendshëm hetimor administrativ për të shqyrtuar rrethanat e arratisjes dhe dyshimet për shkelje eventuale nga zyrtarët korrektues që kanë qenë përgjegjës për sigurinë dhe prezencën e tij”, ka thënë ShKK.
Komisioni disiplinor, si masë e menjëhershme, ka pezulluar nga puna dy zyrtarë korrektues deri në përfundim të procedurave hetimore.
Pas pranimit të raportit nga komisioni hetimor, Shërbimi Korrektues i Kosovës thotë se do të ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet që do të dalin nga ky proces.