Platforma “Jo në emrin tim” me aksion para Kuvendit, mesazh deputetëve: Thirreni seancën – Votojeni ligjin

Platforma “Jo në emrin tim” ka zhvilluar sot një aksion para Kuvendit të Kosovës, në ditën e 18-të të protestave të saj. Përmes një njoftimi, platforma ka bërë të ditur se kërkesa e protestuesve tashmë i drejtohet Kuvendit dhe deputetëve, duke kërkuar që projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të…

Lajme

03/10/2026 17:01

Platforma “Jo në emrin tim” ka zhvilluar sot një aksion para Kuvendit të Kosovës, në ditën e 18-të të protestave të saj.

Përmes një njoftimi, platforma ka bërë të ditur se kërkesa e protestuesve tashmë i drejtohet Kuvendit dhe deputetëve, duke kërkuar që projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të futet në shqyrtim dhe votim, transmeton lajmi.net.

“Ligji duhet të shqyrtohet në Kuvend”, thuhet në njoftim.

“Jo në emrin tim” u ka bërë thirrje deputetëve që mbështesin ndryshimet që të kërkojnë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, në mënyrë që projektligji të procedohet për shqyrtim në Kuvend.

Në aksionin para Kuvendit, sipas platformës, kanë marrë pjesë edhe fëmijë të dëshmorëve dhe të rinj nga vende të ndryshme të Kosovës.

Po ashtu, para ndërtesës së Kuvendit është vendosur një baner me qëndrimet e deputetëve lidhur me projektligjin.

Platforma ka theksuar se, sipas Rregullores së Kuvendit, një seancë e jashtëzakonshme mund të kërkohet nga një e treta e deputetëve.

“Thirreni seancën. Votojeni ligjin”, thuhet në thirrjen e platformës./lajmi.net/