PDK: Kuvendi përmbushi dy kërkesat tona, Kosova shmangu një krizë të re institucionale

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjes së Presidentes së re të Kosovës. Në një komunikatë, PDK-ja ka thënë se me vendimet e sotme, Kuvendi ka përmbushur dy kërkesat për të cilat kjo parti kishte insistuar gjatë ditëve të fundit: miratimin e ndryshimeve në…

Lajme

07/10/2026 00:32

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjes së Presidentes së re të Kosovës.

Në një komunikatë, PDK-ja ka thënë se me vendimet e sotme, Kuvendi ka përmbushur dy kërkesat për të cilat kjo parti kishte insistuar gjatë ditëve të fundit: miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Sipas PDK-së, këto vendime kanë shmangur një krizë të re institucionale dhe kanë mundësuar funksionimin e plotë të institucioneve të vendit.

“Kosova ka nevojë për institucione stabile, funksionale dhe të përgjegjshme. Për institucione të tilla kanë nevojë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe bashkëluftëtarët e tyre, në përpjekjen për drejtësi dhe për mbrojtjen e së vërtetës së luftës çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Partia ka falënderuar të gjithë deputetët që mbështetën ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Një falënderim të veçantë, PDK-ja ua ka adresuar edhe qytetarëve që, sipas saj, protestuan për net me radhë në Prishtinë duke kërkuar miratimin e ndryshimeve në këtë ligj.

“Zëri dhe këmbëngulja e tyre ishin pjesë e rëndësishme e këtij procesi”, thuhet në komunikatë.

Në fund, PDK-ja ka theksuar se Kosova tashmë i ka institucionet e konstituuara dhe funksionale.

“Tani është koha për punë, përgjegjësi dhe përkushtim ndaj interesave të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, përfundon reagimi.