PDK kërkon të hetohet Agim Bahtiri
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, nëpërmjet një komunikate për media ka reaguar, për siç thuhet, skandalet e njëpasnjëshme të kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri, i cili sipas kësaj partie, pa fije ngurrimi po e shkel ligjin për përfitime familjare dhe klanore.
Lajme
“Është vetëm një vit prej se ka marrë mandatin, por janë me dhjetëra vendime kundërligjore dhe në dëm të qytetarëve mitrovicas”, thuhet në reagimin e Degës së PDK-së në Mitrovicë.
Sipas PDK-së së Mitrovicës, vetëm brenda pesë ditëve të fundit kanë dalë në shesh dy super-skandale të njeriut që erdhi në pushtet me premtimin për t’i punësuar 15 mijë veta, por që në fakt po ua shkatërron jetën e tyre.
“Këto skandale kanë zënë vend në ballinat e mediave kosovare, duke ia hequr përfundimisht vellon e mashtrimit, kryetarit legjendar, siç i pëlqen ta quaj veten, Agim Bahtiri”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
PDK e Mitrovicës i ka numëruar disa prej tyre ku përmenden vendosja e aparateve për pije, që janë në pronësi të një firme me të cilën komuna nuk ka kryer kurrfarë procedure ligjore, mos zbatimi i një vendimi të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe Gjykatës Themelore në Mitrovicë për ta kthyer në vendin e saj të punës, ish-drejtoreshën e shkollës së mesme të ulët “Çajupi”, Melihate Meha; kontratën me TV-Mitrovicën; tenderin për bartjen e nxënësve në ekskursione kompanisë “Ariani”, e cila është në pronësi të drejtorit të Prokurimit; ish-zyrtarja e protokollit të tij, të merr pagë nga kabineti i kryetarit edhe disa muaj pasi e ka lënë punën, etj.
Duke u bazuar në këto dhe shkelje të tjera të dokumentuara, Dega e PDK-së kërkon nga hetuesia dhe prokuroria e shtetit që të veproj shpejt dhe të merr masa ligjore ndaj këtij kryetari që po shkel ligjet dhe po dëmton qytetarin e varfër të Mitrovicës.