PDK do të jetë fuqishëm e para

Kadri Veseli mendon se PDK do të dalë fuqishëm partia e parë nga zgjedhjet nacionale. Përkrah kandidimin e Kryeministrit Hashim Thaçi për një mandat të tretë. Thotë se nëse kërkohet nga ai do të jetë pjesë e institucioneve. I quan akoma miq Limajn e Krasniqin.

27/02/2014 21:04

Zëvendëskryetari i PDK’së, Kadri Veseli tha se partia e tij do të dal “fuqishëm partia e parë” nga zgjedhjet nacionale. Ai tha se brenda PDK’së është instaluar një logjikë e tillë që ata nuk luftojnë për pushtet por për shtet.

“Ne po flasim për një logjikë të instaluar brenda PDK’së, e cila  është një logjik që është në vazhdimësi. Lufta për pushtet nuk është primare në konceptin tonë politik, por është përgjegjësia ndaj interesit të qytetarëve”, tha Veseli në një intervistë për KTV.

“Konceptin i PDK’së është lufta për shtet jo për pushtet”.

“Gjithsesi se do të fitojmë.  Me vullnetin e qytetarëve dhe situatën në strutkurën e partisë dhe me përkrahjen e qytetarëve, jam shumë i sigurt se në zgjedhje fer të lira dhe demokratike PDK do të jetë  fuqishëm partia e parë”.

Duke folur në Rubikon të KTV’së, Veseli tha se edhe nëse humbasin, PDK do ta pranojë vullnetin e qytetarëve.

“Ne jemi shumë të gatshëm. Ne do ta respektojmë vullnetin e sovranit. Në konceptin e pluralizmit këto janë në rregullat e një demokracie”.

“Kush fiton është pozita kush humbet është opozita, por pse je opozitë nuk je humbës, je alternativë që zhvillohet çdo ditë”.

Duke folur për krijimin e partisë së re nga Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, Kadri Veseli tha se ata kanë marrë vendimin e tyre për një rrugëtim individual dhe “këtij i mbetet vetëm t’ua bëj përhajr”.

Tha se largimi i Limajt e Krasniqit nga partia nuk ka qenë për shkak të tij. Që të dy ende i konsideron miq.

“Ne e respektojmë vendimin e tyre politik. Unë mundem vetëm me j’ua bë përhajr”.

“Nuk jemi entuziastë me daljen e tyre, të jemi të sinqertë, por PDK është shumë stabile dhe kjo situatë nuk është provokuar nga lidershipi i PDK’së”.

“Në situatën politike kur jam futur në unë në PDK ka qenë një situatë e kryer nuk ka pasur të bëjë me inkuadrimin tim në PDK”.

“Unë besoj fuqishmish që jemi miq dhe nuk kemi arsye që të mos jemi miq”.

Veseli nuk mendon se ndokush nga nënkryetarët e PDK’së do të kërkojë dorëheqjen e Jakup Krasniqit nga posti i Kryeparlamentarit. Gjithsesi ai tha se këtë vendim duhet ta marrë partia.

Kadri Veseli është i mendimit se kandidimi i Hashim Thaçit për postin e Kryeministrit për herën e tretë është vendim i analizuar mirë. Ai thotë se PDK i jep përkrahjen e plotë.

“Ai do ta ketë përkrahjen e fuqishme sepse është një lider që ka eksperiencë”.

“PDK do t’i japë përkrahje e bindur se është vendimi më i drejtë që të vazhdojë në rrugën e sukseseve”.

Veseli thotë se pa marrë mbështetjen e sovranit ai nuk do të pranojë që të marrë ndonjë post në Qeveri. Por nëse merr votën dhe kërkohet kontributi i tij, ai do të pranojë të jetë pjesë e institucioneve.

“Në rend të parë sovranin, nuk mund të pranoj dicka pa qenë i zgjedhur, morali im nuk e pranon”.

“Aty ku e kërkon interesi i vendit dhe nëse kolegët e mi dhe institucionet e konsiderojmë se unë mund të kontribuoj, unë do të jem aty”.

Duke folur për integrimin e veriut, Kadri Veseli mendon se gjërat janë duke lëvizur atje. Ai thotë se primare duhet ta kemi forcimin e ekonomisë e mandej të presim edhe njohjen nga Serbia.

“Kosova është në rrugën e mirë të integrimit përmes dialogut. Do të ketë vështirësi të mëdha por institucionet  e Kosovës janë duke shkuar dhe lëvizja është duke ndodhur në atë pjesë të vendit”.

“Besoj shumë më shumë, se Kosova duhet fuqizuar ekonomikisht,  kjo është sfida jonë primare dhe sa më pak të kemi breng ëse kur do të na njoh Serbia”.

Në intervistën dhënë për Rubikon, Kadri Veseli thotë se ekstremizmi dhe radikalizmi fetar nuk ka vend në Kosovë. Ai fton që kjo çështje të mos përdoret politikisht.

“Unë e di se shumë njerëz janë manipuluar për të shkuar në siri, një maskara me mjekër që kërkon kokën e një gjenerali amerikan, ai është radikal”.

“Këta maskarenj institucionalisht nuk kanë vend në Kosovë dhe nuk është mire të politizohet, duhet të kemi kujdes që të mos krijojmë profil politik përmes një radikalizmi të tillë”.

Nënkryetari i PDK’së Kadri Veseli, beson se bashëkpunimi ekonomik i Kosovës duhet orientuar drejt perëndimit. Ai thotë se SHBA’të, Gjermani, Franca janë ekonomitë të cilat do të mund të ndihmonin që ekonomia e Kosovës të ketë qëndrueshmëri afatgjate.