Partitë politike kanë kohë deri në ora 16:00 t’i dërgojnë listat e ndryshuara, në ora 17:00 mblidhet KQZ-ja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot në ora 17:00 pas vendimit të Gjykatës Supreme.

Lajme

30/01/2021 14:19

Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për t’ia lejuar kreut të partisë, Albin Kurtit kandidimin në zgjedhje, ndërsa KQZ dje ka deklaruar se do të veprojë konform vendimit të Supremes, shkruan lajmi.net.

Ndërsa sot, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se KQZ sot do t’i njoftojë partitë politike që janë pjesë e Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme dhe vendimeve të PZAP se deri sot në 16:00 mund të njoftojnë KQZ-në për ri-renditjen e kandidatëve.

“Ju njoftoj se mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të mbahet sot, e shtunë, me fillim në ora 17:00. Në ndërkohë, KQZ, përmes ZRPPC-së, i ka njoftuar subjektet politike, që janë pjesë e Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme dhe vendimeve të PZAP-it, se deri sot në orën 16:00 mund të njoftojnë KQZ-në lidhur me ri-renditjen e kandidatëve për deputetë”, tha Elezi në një komunikatë për media.

Në anën tjetër, Gjykata Supreme me vendimin e djeshëm ia ka vërtetuar vendimet e KQZ-së dhe PZAP-së që ia ndalojnë kandidimin në zgjedhje ish-kryeministrit dhe kreut të LVV-së, Albin Kurtit. /Lajmi.net/