“E vendosim vetën në plan të dytë për të shpëtuar të tjerët”, zjarrfikësit me sfida të mëdha pune
Puna me rreziqe të mëdha dhe kushte të vështira pune, i bën zjarrfikësit gjatë ndërhyrjeve të tyre emergjente të vendosin veten e tyre në plan të dytë për të shpëtuar të tjerët. Në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë, është organizuar një aktivitet demonstrues në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, ku janë paraqitur disa skenarë…
Lajme
Puna me rreziqe të mëdha dhe kushte të vështira pune, i bën zjarrfikësit gjatë ndërhyrjeve të tyre emergjente të vendosin veten e tyre në plan të dytë për të shpëtuar të tjerët.
Në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë, është organizuar një aktivitet demonstrues në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Zjarrfikësve, ku janë paraqitur disa skenarë të kërkim-shpëtimit, përfshirë zjarrfikës dhe automjete për ndërhyrje në ndërtesa, shuarje zjarri dhe evakuim të viktimave, raporton KosovaPress.
U.d. i drejtorit ekzekutiv në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Shefki Avdullahu, tha se kjo ditë nuk është vetëm simbolike, por një moment për të vlerësuar një nga profesionet më të vështira dhe më fisnike.
“Kur dëgjojmë sirenën e një kamioni të zjarrfikësve, për shumicën prej nesh bie alarmi, ndërsa për ju është thirrja për detyrë, duke vendosur veten në plan të dytë për të shpëtuar të tjerët. Të jesh zjarrfikës nuk do të thotë vetëm të shuash zjarre, por të jesh i pari në aksidente rrugore, i pari në përmbytje dhe i pari që ofron ndihmë në momentet më të rënda të një qytetari”- tha Avdullahu
Drejtoresha për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Fitore Mehmeti Behrami, vlerësoi angazhimin e zjarrfikësve, duke e cilësuar punën e tyre si mision.
“Këto thirrje emergjente, në çdo situatë të vështirë, ju jeni bashkë me ne. Puna juaj nuk është vetëm profesion, është edhe një mision. Çdo ditë përballeni me rreziqe të mëdha duke rrezikuar jetën tuaj për të shpëtuar të tjerët. Kjo kërkon jo vetëm aftësi profesionale, por edhe zemër të madhe dhe vendosmëri të jashtëzakonshme. Ky aktivitet që po mbahet sot në qytetin tonë është një mundësi që qytetarët të njohin më afër punën dhe sakrificat tuaja”, tha Mehmeti Behrami.
Nga ana tjetër, zjarrfikësi Sabri Abazi theksoi sfidat e përditshme me të cilat përballen në terren.
“Çdo ditë përballemi me sfida të vështira, por ajo që na mban të palëkundur është misioni ynë i përbashkët: mbrojtja e jetës së çdo qytetari. Në këtë ditë të veçantë dëshirojmë të shprehim një falënderim të sinqertë për të gjithë punëtorët tanë, institucionet, organizatat dhe individët që qëndrojnë pranë nesh”- tha Abazi
Dronisti Albion Hajredini bëri të ditur se gjatë demonstrimit janë përdorur disa lloje dronësh me kapacitete të avancuara.
“Në këtë ndërtesë do të demonstrohet bartja e një viktime, shuarja e një zjarri dhe aktivitete të tjera. Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim, me ne si vullnetarë, në bashkëpunim me AME-në, e përkrah këtë aktivitet dhe kemi ardhur të demonstrojmë gjithashtu punën me dronë dhe skenarin e kërkim-shpëtimit, përfshirë bartjen e viktimës nga ndërtesa që e kemi afër nesh. Sot, bashkë me ne kemi tri lloje dronësh që kanë kapacitete kërkim-shpëtimi…Gjithashtu kemi edhe një dron shumë të madh, Digital Fly Kart 100, i cili ka kapacitet bartjeje deri në 100 kg për kërkim-shpëtim, për zjarrfikësit apo çdo nevojë tjetër. Këta dronë i kemi përdorur dhe kanë qenë faktor kyç, sidomos në rastin e fundit që e kemi pasur para pak muajsh në komunën e Rahovecit, në të cilin kemi gjetur një person tashmë të ndjerë. Ai kishte humbur jetën pas pesë ditësh kërkime intensive dhe droni ka luajtur rol shumë kyç në identifikimin e vendit të aksidentit të personit të humbur”, tha Hajredini.
Ky aktivitet në Mitrovicë shërbeu jo vetëm si demonstrim praktik i kapaciteteve të zjarrfikësve dhe ekipeve të kërkim-shpëtimit, por edhe si një mesazh për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përdorimit të teknologjisë në menaxhimin e emergjencave. Përmes këtyre skenarëve, qytetarët patën mundësi të shohin nga afër përkushtimin, rrezikun dhe profesionalizmin që qëndron pas çdo ndërhyrjeje në shërbim të jetës dhe sigurisë publike./kp