“Pajisuni me lejeqëndrim”, MPB njofton qytetarët dhe vizitorët: Nga sot hyjnë në fuqi rregulla të reja për të huajt
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se kanë nisur zbatimin udhëzimet informuese për qytetarët dhe vizitorët e huaj lidhur me Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjetet, me qëllim të informimit dhe respektimit të rregullave gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës. Sipas njoftimit, të gjithë shtetasit e huaj që hyjnë në…
Lajme
Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se kanë nisur zbatimin udhëzimet informuese për qytetarët dhe vizitorët e huaj lidhur me Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjetet, me qëllim të informimit dhe respektimit të rregullave gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës.
Sipas njoftimit, të gjithë shtetasit e huaj që hyjnë në Kosovë janë të obliguar të posedojnë dokument të vlefshëm udhëtimi, vizë ose leje qëndrimi kur kërkohet, si dhe të respektojnë qëllimin dhe afatin e qëndrimit. Po ashtu, ata duhet të lajmërojnë adresën e qëndrimit brenda tri ditësh nga hyrja në Kosovë, të kenë mjete të mjaftueshme për jetesë dhe të respektojnë ligjet e vendit.
MPB thekson se qëndrimi afatshkurtër pa vizë lejohet deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, ndërsa puna gjatë kësaj kohe pa leje pune është rreptësisht e ndaluar. Çdo qëndrim mbi këtë afat kërkon aplikim për lejeqëndrim. Për punësim, kërkohet leje qëndrimi e përkohshme dhe leje pune, e cila aplikohet pranë Agjencisë së Punësimit.
Për qëllime të tjera si studimi, ribashkimi familjar, arsye humanitare apo kërkime shkencore, të huajt duhet të pajisen me lejeqëndrim të përkohshëm dhe të plotësojnë kriteret ligjore përkatëse. MPB paralajmëron se shkeljet e ligjit mund të rezultojnë me gjoba, anulim të lejeqëndrimit, urdhër për largim nga vendi apo ndalim të hyrjes në Kosovë.
Sa i përket Ligjit për Automjetet, MPB njofton se automjetet e regjistruara jashtë Kosovës mund të qarkullojnë deri në tre muaj nga data e hyrjes në vend. Automjetet e huaja nuk mund të drejtohen nga shtetas kosovarë pa praninë e pronarit, ndërsa për raste të veçanta kërkohen autorizime dhe rregullim i qëndrimit jashtë vendit.
Gjithashtu, shtetasit e huaj dhe qytetarët e Kosovës që kthehen nga jashtë vendit mund të përdorin patentë shofer të huaj të vlefshme deri në një vit nga data e hyrjes në Kosovë.
MPB bën të ditur se zbatimi i plotë i këtyre ligjeve do të fillojë më 15 mars 2026 dhe çdo mosrespektim i rregullave pas kësaj date do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë edhe ndalimin e hyrjes në Republikën e Kosovës.