OVL-UÇK: Kurti e Sveçla e goditën UÇK-në me uniformën e shtetit, lironi dy veteranët që po i mbani në paraburgim
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas dhunës që thotë se e ushtroi dje Policia e Kosovës ndaj veteranëve dhe protestuesve në sheshet e Prishtinës. OVL-UÇK e ka dënuar ashpër veprimin e Policisë, ndërsa ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, se e kanë…
Lajme
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas dhunës që thotë se e ushtroi dje Policia e Kosovës ndaj veteranëve dhe protestuesve në sheshet e Prishtinës.
OVL-UÇK e ka dënuar ashpër veprimin e Policisë, ndërsa ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, se e kanë vendosur Policinë përballë veteranëve të UÇK-së.
“Kurti e Sveçla dje e goditën UÇK-në me uniformën e shtetit”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së dënon ashpër dhunën e ushtruar dje nga Policia e Kosovës ndaj veteranëve dhe protestuesve në sheshet e Prishtinës.”
Sipas OVL UÇK-së, ajo që ka ndodhur përbën “njollë të rëndë” për institucionet e Kosovës.
“Ajo që ndodhi dje është një njollë e rëndë mbi institucionet e Republikës së Kosovës. Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla, dy dezertorë të luftës, e vunë Policinë përballë veteranëve tanë, të cilët luftuan, u plagosën dhe dhanë gjymtyrët e tyre për ta bërë të mundur këtë shtet.”
OVL UÇK ka thënë se plagët e veteranëve ende nuk janë shëruar dhe ka akuzuar pushtetin se ka urdhëruar përdorimin e dhunës ndaj tyre.
“Plagët e veteranëve ende nuk janë shëruar, ndërsa pushteti dje urdhëroi që mbi ta të ushtrohej dhunë nga uniforma e shtetit për të cilin luftuam.”
Organizata ka deklaruar se veteranët e UÇK-së nuk mund të nënshtrohen me mjete policore.
“Albin Kurti dhe Xhelal Sveçla duhet ta dinë se veteranët e UÇK-së nuk janë njerëz që mund t’i nënshtrosh me shkopinj, gaz dhe uniforma policore.”
Në reagim, OVL UÇK ka paralajmëruar edhe përgjegjësi për ata që kanë urdhëruar dhe zbatuar veprimet e Policisë.
“OVL UÇK ua bën me dije se uniformat policore nuk do t’i mbrojnë nga përgjegjësia.”
“OVL UÇK ua bën me dije se pushteti nuk ju jep të drejtën të shkelin mbi dinjitetin e veteranëve.”
Organizata ka kërkuar hetim të menjëhershëm për rastin.
“OVL UÇK kërkon përgjegjësi të plotë për urdhëruesit dhe zbatuesit e kësaj dhune, si dhe hetim të menjëhershëm për çdo tejkalim të kompetencave.”
Në fund, OVL UÇK ka kërkuar lirimin e dy personave që, sipas saj, po mbahen në paraburgim.
“Njëkohësisht, kërkojmë lirimin sa më të shpejtë të anëtarit të Kryesisë së OVL UÇK-së, Ekrem Selimit, dhe Fadil Zogajt, të cilët po mbahen në paraburgim nga organet policore.”