PDK kërkon seancë urgjente për Ligjin për Specialen: Të përfundojë miratimi dhe të ndalet dhuna ndaj protestuesve

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit që të thërrasë urgjentisht seancën plenare për përmbylljen e miratimit të ligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Në një komunikatë për media, PDK ka thënë se institucionet dhe përfaqësuesit politikë kanë përgjegjësi të veprojnë pa…

Lajme

06/10/2026 12:17

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit që të thërrasë urgjentisht seancën plenare për përmbylljen e miratimit të ligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në një komunikatë për media, PDK ka thënë se institucionet dhe përfaqësuesit politikë kanë përgjegjësi të veprojnë pa vonesë dhe se ky proces duhet të përfundojë me miratimin e ligjit në dy lexime.

PDK ka deklaruar se këtë ligj e ka iniciuar pas takimeve dhe konsultimeve me partitë politike shqiptare, duke e cilësuar mbrojtjen e UÇK-së dhe çlirimtarëve si përgjegjësi të përbashkët shtetërore.

“Ky ligj është më i madh se secila parti: ai lidhet drejtpërdrejt me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas PDK-së, nuk ka pengesë ligjore apo procedurale për miratimin e ligjit, ndërsa partia ka thënë se opinioni i Qeverisë nuk përbën pengesë për këtë proces.

“Për PDK-në, prioriteti i menjëhershëm është përmbyllja e miratimit të ligjit në dy lexime. Kuvendi duhet ta përfundojë këtë proces pa zvarritje të mëtejshme dhe t’i japë përgjigje kërkesës së qytetarëve për mbrojtje të denjë të çlirimtarëve”, thuhet në komunikatë.

PDK ka theksuar se kjo çështje nuk duhet të shndërrohet në “pazar politik” apo të përdoret për kushtëzime partiake.

Partia ka reaguar edhe për protestën e mbrëmshme, duke dënuar atë që e ka cilësuar si dhunë joproporcionale ndaj protestuesve.

“Ushtrimi i dhunës jashtë standardeve të ndërhyrjes policore është i dënueshëm dhe krejtësisht i papranueshëm”, thuhet në komunikatë.

PDK ka kërkuar nga Qeveria, kryeministri dhe Ministria e Punëve të Brendshme që të ndalin, sipas saj, veprimet jashtë rolit dhe kompetencave kushtetuese e ligjore dhe ka akuzuar institucionet për përdorim të Policisë ndaj protestuesve.

“PDK shpreh solidaritetin dhe mbështetjen e plotë për secilin qytetar të lënduar gjatë protestës në këtë kauzë kombëtare”, thuhet në komunikatë.

Në fund, PDK ka bërë të ditur se do t’i adresojë në Inspektoratin Policor të Kosovës rastet që, sipas saj, lidhen me dhunë dhe tejkalim të autorizimeve, duke kërkuar hetim të plotë dhe llogaridhënie. /Lajmi.net/