Osmani takon presidentin e ri të Kosta Rikës, pajtohen për thellim të marrëdhënieve bilaterale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron për vizitë në Kosta Rika ku është takuar me presidentin e ri të këtij venti, Rodrigo Chaves.

Lajme

08/05/2022 17:03

Osmani ia përcolli urimet Chaves në marrjen e përgjegjësive dhe u pajtua me të që marrëdhëniet bilaterale mes Kosovës dhe Kosta Rikës të thellohen edhe më shumë.

Ky është njoftimi i plotë i Presidencës:

Në San Jose, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, është takuar me Presidentin e ri të Republikës së Kosta Rikës, z. Rodrigo Chaves

Presidentja Osmani i ka përcjellur urimet më të mira Presidentit Chaves në marrjen e përgjegjësive së detyrës së tij të re, udhëheqjes së popullit dashamirë e paqedashës të Kosta Rikës drejt një të ardhmeje të begatë e të sigurt.

Presidentja Osmani dhe Presidenti Chaves janë pajtuar që marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve tona të thellohen, duke përfshirë bashkëpunimin në politikën e jashtme dhe rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare. Presidentja Osmani njoftoi Presidentin Chaves për progresin e Kosovës në fusha të ndryshme si dhe për përgatitjet për aplikim më organizata ndërkombëtare.

“Populli i Kosovës i është gjithmonë mirënjohës Kosta Rikës si një ndër shtetet e para që njohën pavarësinë tonë, pikërisht në ditën kur Republika e Kosovës filloi kapitullin e saj të ri si një shtet i pavarur e sovran” ka thënë Presidentja Osmani. /Lajmi.net/