Porkuroria: Vrasja në Suharekë nisi për një parking, i dyshuari kishte qenë i dënuar për vrasje edhe në Zvicër
Prokuroria Themelore në Prizren ka zbardhur detaje të reja për vrasjen që ndodhi të mërkurën në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, ku një person humbi jetën pas të shtënave me armë zjarri. Sipas Prokurorisë, gjithçka dyshohet se nisi pas një mosmarrëveshjeje të çastit për parkimin e automjeteve, raporton lajmi.net. Për këtë rast, Departamenti…
Lajme
Prokuroria Themelore në Prizren ka zbardhur detaje të reja për vrasjen që ndodhi të mërkurën në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë, ku një person humbi jetën pas të shtënave me armë zjarri.
Sipas Prokurorisë, gjithçka dyshohet se nisi pas një mosmarrëveshjeje të çastit për parkimin e automjeteve, raporton lajmi.net.
Për këtë rast, Departamenti i Krimeve të Rënda ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit me inicialet Rr.H., për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 18 nëntor 2026, rreth orës 12:03, në parkingun e një qendre tregtare në Suharekë.
Pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkimin, i dyshuari Rr.H. dyshohet se ka qëlluar disa herë me armë zjarri në drejtim të viktimës S.D., duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.
Në momentin e të shtënave, pranë viktimës ndodheshin edhe bashkëshortja dhe vajza e tyre e mitur, jetët e të cilave, sipas Prokurorisë, janë vënë në rrezik.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se i pandehuri ka përdorur një armë të tipit “Sig Sauer”, me të cilën fillimisht ka shtënë përmes xhamit të automjetit.
Më pas, sipas Prokurorisë, ai ka vazhduar të qëllojë në drejtim të viktimës edhe pasi kishte hapur dyert e automjetit, duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit.
Viktima fillimisht është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Suharekë, ku ka marrë ndihmën e parë, ndërsa më pas është transportuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Atje, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Pas të shtënave, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, por më vonë është lokalizuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës.
Gjatë kontrollit të automjetit të tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar armën që dyshohet se është përdorur në vrasje, së bashku me dy karikatorë dhe 24 fishekë.
Ndërkaq, gjatë bastisjes së banesës së të dyshuarit, janë gjetur dhe sekuestruar edhe 47 fishekë të tjerë./Lajmi.net/