Disa autostrada ende të papërfunduara, Kurti paralajmëron nisjen e projekteve të reja infrastrukturore në vitin 2027

Kryeministri Albin Kurti, gjatë prezantimit të Buxhetit për vitin 2027 në Kuvendin e Kosovës, ka bërë të ditur se mbi 1 miliard euro do të ndahen për investime kapitale, duke paralajmëruar nisjen e disa projekteve të mëdha infrastrukturore. Kurti ka përmendur fillimin e punimeve në Unazën e Jashtme të Prishtinës, segmentin Duhël–Banullë dhe Autostradën e…

Lajme

19/11/2026 16:13

Kryeministri Albin Kurti, gjatë prezantimit të Buxhetit për vitin 2027 në Kuvendin e Kosovës, ka bërë të ditur se mbi 1 miliard euro do të ndahen për investime kapitale, duke paralajmëruar nisjen e disa projekteve të mëdha infrastrukturore.

Kurti ka përmendur fillimin e punimeve në Unazën e Jashtme të Prishtinës, segmentin Duhël–Banullë dhe Autostradën e Dukagjinit, si dhe ndërtimin dhe rehabilitimin e një numri të madh të rrugëve nacionale dhe rajonale.

Ai ka thënë se investimet do të përfshijnë edhe mbrojtjen e mjedisit, përmes ndërtimit të digave të reja për ruajtjen e rezervave ujore dhe krijimit të një sistemi të ri për grumbullimin e mbeturinave.

Në kuadër të investimeve infrastrukturore, Kurti ka paralajmëruar edhe kompletimin e infrastrukturës sportive për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Një tjetër fushë ku Qeveria parasheh investime është aviacioni dhe turizmi. Kurti ka bërë të ditur se është paraparë një nismë për themelimin e kompanisë kombëtare ajrore, me synimin e zgjerimit të linjave ajrore të Kosovës dhe krijimit të më shumë mundësive të udhëtimit për diasporën.

Sipas tij, përmes një pranie më të madhe në aeroportet evropiane dhe më gjerë, synohet që Kosova të ketë një instrument shtesë për lidhjen me diasporën, si dhe për promovimin e potencialit ekonomik, investiv dhe turistik të vendit.

Kurti ka bërë të ditur se janë paraparë edhe linja të veçanta buxhetore për investime në infrastrukturën turistike, përfshirë zhvillimin e resurseve turistike në Brezovicë dhe në rajonin e Dukagjinit.

Ai ka thënë se synimi është që potenciali turistik i Kosovës të shndërrohet në zhvillim ekonomik.

Në fund, Kurti ka theksuar se Buxheti i vitit 2027 është buxheti i parë i mandatit të ri qeverisës. /Lajmi.net/