Orav: Kapitulli i masave ndëshkuese ka përfunduar
Shefi në largim i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori, Aivo Orav, ka thënë se periudha e masave ndëshkuese ndaj Kosovës ka përfunduar, e që hap rrugë për një fazë të re bashkëpunimi dhe angazhimi midis Prishtinës dhe Brukselit. Ai ka theksuar se ekziston gatishmëria nga ana e BE-së për të avancuar me projekte dhe…
Lajme
Shefi në largim i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori, Aivo Orav, ka thënë se periudha e masave ndëshkuese ndaj Kosovës ka përfunduar, e që hap rrugë për një fazë të re bashkëpunimi dhe angazhimi midis Prishtinës dhe Brukselit.
Ai ka theksuar se ekziston gatishmëria nga ana e BE-së për të avancuar me projekte dhe programe konkrete, dhe ka përmendur edhe krijimin e një momentumi të ri bashkëpunimi, veçmas pas marrëveshjes për Ligjin për të huajt.
“Masat kanë mbetur prapa nesh tani dhe tani duhet të fillojmë të ecim përpara”, ka deklaruar Oravi.
“Në fakt, ka zhvillime pozitive që kanë ndodhur edhe gjatë këtij gjysmëviti. Ne në Bashkimin Evropian jemi gati të angazhohemi, të ecim përpara, dhe shpresojmë shumë se së shpejti do të zgjidhet edhe presidenti apo presidentja”.
“Të paktën do të kemi sqarim se çfarë do të ndodhë. Por ky kapitulli i masave ndëshkuese është prapa nesh dhe ne jemi të gatshëm të angazhohemi në programe dhe projekte të reja me Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur”.
“Problemi ka qenë se ne është dashur të kemi konsensusin e të gjitha vendeve anëtare dhe kjo mori ca kohë. E vlerësoj shumë atë çfarë bën Kosova në fushën e politikës së jashtme dhe që e harmonizon politikën e saj me Bashkimin Evropian sa i përket sanksioneve, sa i përket politikës së jashtme dhe çështjeve që kanë të bëjnë me të”.
“Dhe tani besoj fuqishëm se mund të ecim përpara së bashku, të shikojmë drejt të ardhmes dhe shpresojmë shumë se ky hutim apo konfuzion politik do të sqarohet shumë shpejt dhe do të keni një partner shumë të mirë në këtë proces”.