Nishani: Krahasimi i Kosovës me Krimenë është alibi e dobët

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë Shqipërinë, si një aleat të fortë dhe kërkojnë që partitë shqiptare të bashkëpunojnë në Parlament dhe institucione të tjera për të arritur qëllimin kryesor, integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Lajme

01/04/2014 18:12

Këtë e tha të martën drejtori për Evropën Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, pas takimit që zhvilloi në Tiranë me presidentin shqiptar, Bujar Nishani.

Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës së Shqipërisë, Nishani dhe Moore ranë dakord për rëndësinë që duhet të ketë lufta ndaj korrupsionit, reforma në drejtësi, si edhe reforma territoriale.

Duke e përqendruar bisedën edhe tek 5-vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, siç thuhet me tej në njoftim, kreu i shtetit Nishani është ndalur edhe tek zhvillimet në Krime duke cilësuar se krahasimi mes kësaj të fundit dhe Kosovës, është një alibi e dobët, ndaj edhe Shqipëria sipas presidentit do të jetë në krah të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në qëndrimet ndaj Rusisë.

Moore është takuar edhe me kreun e opozitës, Lulezim Basha, i cili i ka shprehur shqetësimin për situatën politike në vend.

Arbitrariteti i Qeverise ngushtimi i hapësirave në Parlament dhe sulmi ndaj institucioneve të pavarura, kanë qenë pikat në të cilat është ndalur kreu i Partisë Demokratike, raporton Top Channel.

Drejtori per Evropen Juglindore ne Departamentin Amerikan te Shtetit eshte takuar edhe me ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ndërkohë të mërkurën ai pritet të takohet edhe me kryeministrin Edi Rama.