Nga Vjosa Osmani që protestonte përkrah Endrit Thaçit e Bedri Hamzës në deputeten e heshtur të LDK-së për denimin e ish-krerëve në Hagë
Një ndryshim në paraqitjet publike të ish-presidentes Vjosa Osmani është vënë në pah pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vjosa Osmani vazhdon të jetë aktive në komunikimet publike, përfshirë pjesëmarrjen në aktivitete që lidhen me marrëdhëniet Kosovë–SHBA dhe vlerësimin e kontributit të mërgatës shqiptare, raporton lajmi.net.…
Lajme
Një ndryshim në paraqitjet publike të ish-presidentes Vjosa Osmani është vënë në pah pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Vjosa Osmani vazhdon të jetë aktive në komunikimet publike, përfshirë pjesëmarrjen në aktivitete që lidhen me marrëdhëniet Kosovë–SHBA dhe vlerësimin e kontributit të mërgatës shqiptare, raporton lajmi.net.
Osmani është përkujdesur në vazhdimësi që të publikoj fotografi e shkrime edhe nga vizita në SHBA, duke falënderuar mërgatën për kontributin në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ishte kënaqësi të flasë në gala mbrëmjen e organizuar nga Albanian-American Relations Council dhe t’i falënderoj mërgatën tonë në Amerikë për kontributin e jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, shkroi sot ajo.
Megjithatë, pas vendimit të 16 shtatorit në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, në komunikimet e saj publike nuk u pa ndonjë reagim i drejtpërdrejtë për dënimet e ish-krerëve të UÇK-së.
Pas vendimit ajo foli në terma të përgjithshëm duke thënë se UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë: dje, sot e përjetësisht, por duke mos përmendur ish-krerët tanimë të dënuar.
“Mbi 13 mijë njerëz janë vrarë nga Serbia gjenocidale gjatë luftës në Kosovë. Prej tyre, rreth 10 mijë ishin civilë të masakruar, ndërsa më shumë se 1500 ende mbesin të zhdukur me dhunë dhe në varreza masive. Dhunimet seksuale, torturat çnjerëzore, vrasjet e fëmijëve dhe krimet e tjera të llahtarshme të Serbisë ende mbesin pa përgjigje nga drejtësia ndërkombëtare; ndërkaq, Serbia vazhdon t’i mohojë krimet dhe t’i shpërblejë kriminelët. Populli i Kosovës u ngrit pikërisht kundër këtyre krimeve dhe në mbrojtje të pragut të shtëpisë. UÇK-ja ishte ushtria e popullit të Kosovës; ishte betimi i përgjakur i njerëzve të shtypur që donin çlirimin e atdheut të tyre. Prandaj, sot e përgjithmonë, do ta mbrojmë drejtësinë e luftës sonë çlirimtare. Shteti i pavarur e sovran i Kosovës është amaneti ynë i përbashkët”, shtoi ajo.
E pas kësaj, Osmani më as nuk foli as nuk shkroi mbi verdiktin e Hagës. AJo madje bashkë me Lumir Abdixhikun e të tjerët nga LDK ishin për homazhe në Kuvend me rastin e vdekjes së Flora Brovinës, por assesi nuk kthyen kokën që t’i bashkoheshin protestës që zhvillohej në shesh.
Mungesa e Osmanit ishte vërejtur edhe në marshin e 12 shtatorit në Prishtinë, të organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ku në marsh morën pjesë rreth 100 mijë qytetarë nga Kosova, diaspora dhe rajoni, ndërsa sheshet e kryeqytetit u mbushën me flamuj kombëtarë dhe simbole të UÇK-së. Marshi u zhvillua vetëm katër ditë para shpalljes së vendimit përfundimtar në Hagë.
Nga “Marshi për Drejtësi” te mungesa në marshin e fundit “JO NË EMRIN TIM”
Ndryshe nga organizimi i fundit para vendimit në Hagë, Osmani ishte parë në marshin e organizuar para zgjedhjeve të fundit në vend.
Para se t’i futej garës si prijëse e listës së LDK-së, Vjosa Osmani iu bashkua marshit madje shihej krah për krahë me kryetarin e PDK-së Bedri Hamza dhe birit të ish-presidentit Thaçi, Endrit Thaçi. Derisa para zgjedhjeve kur edhe i duheshin votat e shpresonte se do merrte mjaftueshëm, Vjosa Osmani nuk u pa më në asnjë marsh e tani as në protestat e përditshme.
Vjosa Osmani ngjashëm si edhe thuajse gjithë LDK-ja ka rënë në një heshtje që tingëllon e “frikshme” për dikë që drejtoi Presidencën e Kosovës e tani është deputete e Kuvendit të Kosovës.
