Nga orizi kaf tek lëngu i kumbullës, ja si të trajtoni kapsllëkun kur jeni shtatzënë

Ushqimet e pasura me fibra dhe një sasi e madhe lëngjesh, ndihmojnë në parandalimin dhe lehtësimin e simptomave të kapsllëkut. Ndiqni këshillat e mëposhtme.

Lifestyle

02/08/2021 15:50

Kapsllëku është një nga efektet anësore më të zakonshme të shtatzënisë, që prek të paktën gjysmën e të gjitha grave shtatzëna.

Zakonisht është më problematik te gratë të cilat kanë vuajtur nga kapsllëku edhe para se të mbeteshin shtatzënë. Gjatë shtatzënisë, rritja e progesteronit ngadalëson procesin e tretjes.

Për pasojë, ushqimi kalon më ngadalë në aparatin gastrointestinal. Në muajt pasardhës, mitra, e cila sa vjen dhe zgjerohet, ushtron presion mbi zorrët.

Përveç kësaj, zorra e trashë thith më pak ujë gjatë shtatzënisë, gjë që e forcon jashtëqitjen dhe e bën më të vështirë lëvizjen e saj nëpër zorrë.

Faktorë të tjerë që ndikojnë në këtë problem, janë: çrregullimet në të ngrënë, stresi, ndryshimet e mjedisit dhe shtimi i sasisë së kalciumit dhe hekurit në ushqim. Kapsllëku mund të jetë gjithashtu shkaku i shfaqjes së hemorroideve.

Parandalimi dhe kujdesi: gjëja e parë që duhet bërë për të parandaluar kapsllëkun, është t’i kushtoni vëmendje ushqimit që konsumoni.

Ushqimet e pasura me fibra dhe një sasi e madhe lëngjesh, ndihmojnë në parandalimin dhe lehtësimin e simptomave të kapsllëkut. Ndiqni këshillat e mëposhtme.

* Konsumoni ushqime të pasura me fibra, duke përfshirë frutat e freskëta, perimet e gjalla dhe të gatuara, krundet, fasulet, ushqime me drithëra të pasitura, si bukë me krunde, oriz kaf dhe miell tërshëre. Një frutë që ndihmon në përmirësimin e kapsllëkut është edhe kumbulla, e freskët ose e tharë, madje edhe lëngu i saj është po aq i efektshëm.

* Hani pak dhe shpesh dhe përtypeni plotësisht ushqimin.

* Pini shumë lëngje, veçanërisht ujë. Mundohuni të konsumoni 8 gota prej 236 mililitrash në ditë. Pini një gotë ujë para se të flini.

* Bëni sa më shumë ushtrime. Një metodë mjaft efikase janë edhe aktivitetet fizike, ose të paktën, mundohuni të ecni pak më shumë çdo ditë.

* Hekuri i marrë në formë kapsule, mund të shkaktojë kapsllëk. Në rast se mjeku ju ka rekomanduar të merrni hekur, ndërkohë që vuani nga kapsllëku, atëherë merrini tabletat të shoqëruara me lëng kumbulle. /Lajmi.net/