Në ditën që i revokohet licenca, menaxheri i prokurimit të Vitisë shkel përsëri ligjin

Komuna e Vitisë ka vendosur që të qojë deri në fund synimin e saj për të shpërblyer një grup të kompanive me tender duke e shkelur ligjin e prokurimit publik.

Lajme

04/06/2021 10:10

Fadil Abazi nuk do jetë menaxher i prokurimit në Komunën e Vitisë, pozitë të cilën e ka ushtruar deri më tani. Komisioni Rregullativ i Prokuirmit Publik –KRPP ia ka revokuar certifikatën e prokurimit për shkak të disa veprimeve që ai i ka bërë në procedurën e prokurimit për tenderin “Ndërtimi i rrugës Viti –Kërbliq –Kaqanik –Faza e II”.

Lajmi.net është informuar nga burimet e veta se Abazit i është tërhequr licenca këtë të hënë mbi bazën e një kërkesë që e kishte bërë Organi Shqyrtues i Prokurimit në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik. Në ditën e revokimit të certifikatës së prokurimit, ai ka bërë një tjetër shkelje të madhe lidhur më veprimet në procedimin e këtij tenderi.

Pasi ishte shpallur fituesi i tenderit konzerciumi “Rahovica Comerc” Shpk, “Quality Asphalt” Shpk, “Mirusha Company” Shpk, menjëherë pas këtij vendimi, kërkesë për rishqyrtim më datë 04.05.2021 kishte bërë kompania “Sallahu” duke mos u pajtuar me vendimin e Komunës, pasi konsideronte që ishin bërë shkelje duke kërkuar kështu që lënda të kthehet në rivlerësim.

Më datë 11 Maj, AK i Vitisë e ka refuzuar këtë ankesë, duke mos shqyrtuar asnjë nga pretendimet. Në vendimin mbi refuzim, Komuna e ka udhëzuar që në afat prej 10 ditësh të parashtrohet ankesë në OSHP nëse pala është e pa kënaqur me vendimin e komunës.

Një ditë para se të përfundojë afati ligjor për dorëzimit e ankesës në OSHP, Komuna ka bërë “Njoftim mbi ndryshimin e vendimit të Autoritetit Kontraktues”, në të cilin thuhet se “Komuna e Vitisë, pas shqyrtimit të ankesave shpërblen me kontratë Grupin e Operatoreve Ekonomik “Pro& Co Group” Shpk, “Co Group” Shpk, “Company Eskavatori” Shpk, në vlerë prej 1, 952, 820.69 euro”.

Vendimi për rivlerësim pas ankesës ka qenë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. Kjo ngase, sipas ligjit, kur një kërkesë për rishqyrtim hidhet poshtë, lihet në fuqi vendimi i mëparshëm i Autoritetit kontaktuese. Ky veprim ka qenë i pa precedent deri më tani në prokurimin publik.

Dhe në këtë vendim, AK-ja ka shkruar edhe informata të pasakta, ku ka thënë se “pas shqyrtimit të ankesave”. Në fakt ka qenë vetëm një ankesë që ishte hedhur poshtë, dhe nuk ka ankesa të tjetër të ngarkuara në sistemin e E-prokurimit tek procedura e këtij prokurimi. Po ashtu, lajmi.net ka mësuar se nuk ka pasur ankesa tjera që janë shqyrtuar, pra që për ndonjë arsyeje mund të mos ishin ngarkuar në E-prokurim.

Derisa, Komuna e ka refuzuar kërkesën e kompanisë “Sallahu”, e çuditshme ka qenë se procedurën e ka kthyer në rivlerësim sipas pretendimeve ankimore të kësaj kompanie.

Pra, konkretisht, në këtë rast AK ka vepruar në kundërshtim me nenin 108/A të LPP-së, pika 10. Autoriteti kontraktues mund, me anë të një vendimi:10.1 të refuzojë kërkesën e propozuar për rishqyrtim si të pa bazë; 102.2 të miratojë një kërkesë për rishqyrtim si të bazuar dhe të anulojë pjesërisht ose tërësisht vendimin e miratuar.

Standardi i dyfish i Komunës

Që nga koha kur kishte nisur kjo procedurë e prokurimit në vitin 2020, Komuna e Vitisë është duke e zhvilluar  kundërligjshëm, duke përdorur edhe standarde të dyfishta. Kjo për shkak se ky projekt ka qenë ritender, pasi me datë 29.03.2021 ishte shpallur procedura re nga fillimi.

Fillimisht në muajin prill, Komuna shpalli fitues grupin e kompanive “Rahovica Comerc” & Quality Aspalt” & “Mirusha Company” & “Atc Com” –Ferizaj, me çmim 1. 863.133, 48. Komuna kishte përzgjedhur kompaninë e tretë më të shtrenjtë, pasi dy kanë qenë më të lira për rreth 150 mijë euro, për të dyja janë eliminuar nga komisioni komunale për arsyeje të ndryshme.

Tash, në rivlerismin e ri Komuna ka listuar arsyet e eleminimit  të konzorciumit “Rahovica Comerc” Shpk, “Quality Asphalt” Shpk, “Mirusha Company” Shpk. Sipas vendimit të ri, arsye e eliminimit ka qene se “Ju nuk keni plotësuar kërkesat sipas FDT. Nuk keni plotësuar kërkesën: Një (1) bachelor të gjeodezisë të licencuar, mungon përvoja e kërkuar prej 5 viteve: Lista e stafit prej 45 punëtorëve në tri vitet e fundit, nuk e keni kompletuar edhe pas ftesës. Marrëveshja e bashkëpunimit, noterzimit nuk konkretizon marrëveshjen, ne titull, është marrëveshje për qera”, thuhet në arsyetimin e eliminimit.

Lajmi.net ditë më parë ka raportuar lidhur më disa prej këtyre shkeljeve, që tash AK-ja i ka radhitur në arsyetimin e eliminimit.

Konzercumi i shpallur fitues para pak ditëve ka çmim më të shtrenjtë se të gjitha kompanitë tjera, pos një kompanie nga Malisheva.

Ne garë kanë qenë: Grupi i kompanive “Euro Abi”shpk& “Begisholli” –Tiranë –Viti me vlerë 1.888.599, 97 euro.

Grupi i kompanive “Pro&Co Group” & “Company Eskavatiri” –Kllokot 1.952.820,69 euro.

Grupi i kompanive “Sallahu” & Sa-Sallahu” –Kaqanik 1.719.660, 79.

Grupi “El-Bau” & “Florin G” & “Limons Staneci” –Gjilan 1.717.735,80 euro.

Grupi i kompanive “Rahovica Comerc”& “Quality Asphalt” & “Mirusha”& “ATV COM” –Ferizaj, me çmim 1. 863.133, 48.

Kompania “Ndërtimi Ing” shpk –Malishevë 2. 033.278. 35 euro.

Komuna nuk e merr parasysh Agjencinë Kundër Korrupsionit

Me datë 7 prill 2021, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte lëshuar një opinion për Komunën e Vitisë duke konsideruar se janë bërë disa shkelje në njoftimin për kontratë “Ndërtimi i rrugës Viti –Kërbliq-Kaqanik Faza II –Ritender”.

AKK-ja kërkonte që komuna të ndërmarrtë veprimet e nevojshme për evitimin e shkeljeve të cilat binin ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik.

“Agjencia në bazë të dokumenteve të nxjerra nga platforma E-Prokurimi ka vërejtur se në njoftimin për kontratë dhe në dosjen e tenderit , në nenin III.2.4) Kapacitete teknike dhe profesionale, autoriteti kontraktues ka kërkuar: OE të ofrojë listë me staf e të punësuar, min 60 punëtorë. Dëshmia e kërkuar dokumentare: Operatori Ekonomik duhet të sjell listën e së paku 30 punëtorëve origjinal nga ATK për tri vitet e fundit nga Njoftimi për kontratë. Kërkesë kjo për të cilën AKK konsideron se nuk është në pajtim me dispozitat e Ligjit në fuqi për prokurimin publik. Më saktësisht me nenin 69. Sipas dispozitave në fuqi, autoriteti kontraktues mund të kërkojë minimumin e mesatares së fuqisë punëtore dhe stafit menaxheria për secilin nga 3 vitet e fundit, ku si dëshmi mund të kërkojë një deklaratë apo raport për fuqinë punëtore mesatare dhe numrin mesatar të personelit udhëheqës të operatorit ekonomik për secilin nga tri vitet e kaluara”, thuhet në opinion e AKK-së.

Tutje aty thuhet se “Agjencia Kundër Korrupsionit konsideron se një kërkesë e tillë e vendosur është diskriminuese dhe nuk u mundëson operatorëve tjerë të cilët kanë një numër minimal të fuqisë punëtore të ofertojnë për këtë kontratë”.

“Duke cekur një kufizim të tillë, autoriteti kontraktues favorizon vetëm operatorët ekonomik të cilët kanë këtë numër të punëtorëve ose më tepër edhe në këtë mënyrë i eliminon operatorët tjerë të cilët kanë një nunër të kënaqshëm të punëtorëve”, thuhet në ndër tjera në opinion e AKK-së, në të cilin në fund është konsideruar se shkeljet e tilla nuk duhet të lejohen në aktivitete e prokurimit, andaj AKK-ja ka rekomanduar që të evitohen ato, duke i njoftuar të gjithë operatorët ekonomik të cilët kanë tërhequr dosjen e tenderit.

“Po ashtu ju njoftojmë se lidhur me këto të gjetura do të njoftohet Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik”, thuhet në fjalinë e fundit të AKK-së.

Sipas dokumenteve të ngarkuar në E-Prokurim për këtë projekt, lajmi.net ka parë që prokurimi komunal nuk e ka zbatuar fare opinionin e AKK-së, por ka proceduar ashtu siç e kishte nisur, sipas të cilave kritere edhe ka shpallur fituesit.

Shkeljet e mëdha në procedurën e parë që aktivizuan hetuesinë

Komuna e Vitisë, njoftimin për kontratë për këtë aktivitet të prokurimit e ka publikuar në sistemin më datë 2 tetor 2020.

Para se të shpallej fituesi, disa kompani ishin ankuar në Komunën e Vitisë se në dosjen e tenderit janë vendosur kritere diskriminuese. Komuna ua ka hedhur poshtë pretendimet, ndërsa ka bërë korrigjimin e disa kritereve dhe dosjen e ka ngarkuar në e-prokurim. Duke qenë të pakënaqura me korrigjimet e komunës, kompanitë janë ankuar në OSHP. Ky institucion ka gjetur shkelje në kriteret e vendosura dhe ka nxjerr vendim, ku e obligonte komunën që të bëjë ndryshimet e nevojshme në dosjen e tenderit. Komuna e respektoi këtë vendim dhe bëri disa ndryshime në dosjen e tenderit, por jo ashtu siç e udhëzoi OSHP-ja.

Më datën 3 dhjetor 2020, komuna ka njoftua për shpalljen e fituesit.

Fitues është shpallur kompania “Pro& Co Group” SHPK që ka qenë në konzercium me kompaninë “Eskavatori”. Oferta e tyre ishte 1. 989. 808, 29 euro. Pati oferta edhe më të lira, por ato u vlerësuan si të pa përgjegjshme nga ana e prokurimit komunal.  (Pra, siç shihet komuna ka vendosur në rivlerësimin e fundit që të shpërblehen kompanitë e herës së parë).

Më këtë vendim nuk ishin pajtuan disa kompani, pasi konstatuan se komuna nuk kishte bërë ndryshimet e nevojshme siç kishte udhëzuar OSHP-ja, për më tepër kishte përzgjedhur edhe një kompani që nuk i plotësonte kërkesat dhe se disa prej kritereve i ishin përshtatur kompanisë fituese.

OSHP-ja për të dytën herë trajtoi kërkesat e tyre dhe më datë 28.12.2020, nxori vendim ku e urdhëronte komunën të anulojë njoftimin për dhënie të kontratës dhe të anulojë krejt aktivitetin e prokurimit, duke thënë se “nëse autoriteti kontraktues ka interes për këtë aktivitet të prokurimit ta ritenderojë konform dispozitave të LPP-së”, dhe për këtë vendim urdhëroi palët që të ankohen vetëm në gjykatë dhe jo më në komunë apo OSHP.

Zyra e Prokurimit të Komunës së Vitisë, vendosi të respektojë vendimin e OSHP-së, duke bërë publikim për anulimin e aktivitetit të prokurimit.

Por, jashtë çdo procedure ligjore, më datën 27 janar 2021, prokurimi komunal ngarkoi në e-prokurim një dokumentin i cili thotë se: “Komuna e Vitisë, pas ankesës se një kompanie dhe Vendimit, nr 01/2021, shpërblen me kontratë, Pro& Co Group; Company Eskavatori në vlerë totale 1, 989. 808, 29 euro”.

Në vendimin e dytë OSHP-ja nuk kishte lenë mundësi anekseje, kishte rekomanduar palët që nëse ankesa t’i drejtohen Gjykatës Themelore -Departamentit për Çështje Admistrative. Por, një kompani u ankua në komunë duke mos u pajtuar me anulimin e aktivitetit të prokurimit. Komuna nuk e hodhi poshtë menjëherë ankesën, por vendosi që tenderin ta kthejë në rivlerësim, ani pse kishte bërë njoftim për anulim të aktivitetit të prokurimit, konform udhëzimit të OSHP-së. Rrezoi pretendimet e kompanisë ankuese dhe shpalli përsëri fitues kompaninë “Pro& Co Group”.

Më këtë rast, autoriteti kontraktues bëri dy shkelje: Nuk respektoi vendimin e OSHP-së dhe tentoi që ta anulojë/ta shpallë të pa vlefshme vendimin e OSHP-së.

Më pas komuna duke vepruar në frikë se mund t’i tërhiqet licenca menaxherit të prokurimit vendosi të anulojë përsëri procedurën e prokurimit.

Edhe në këtë vendim menaxheri i prokurimit ka bërë shkelje flagrante, pasi procedurën e anuloi Zyra Ligjore e Komunës dhe jo vetë menaxheri i prokurimit.

Grupi i kompanive që kishte fituar herën e parë “Pro& Co Group” SHPK që ka qenë në konzercium me kompaninë “Eskavatori”, në ofertën e dytë –ritender ka vendosur çmim Mbi 35 mijë euro ofertë më tënshtrejtë, ani pse dosja e tenderit në herën e dytë është korrigjuar, ku janë hequr disa pozicione.

Lidhur me veprimet e  kundërligjshme të herës së parë nga Komuna, policia e krimeve ekonomike është duke e hetuar rastin.

KRPP-ja neglizhon rastin

Meqenëse në procedurën e parë ishin bërë shkelje të mëdha, OSHP-ja kishte dërguar kërkesë për trajtim në KRPP në fillim të muajit shkurt.

KRPP-ja e ka neglizhuar që disa muaj nxjerrjen e një vendimi për rastin e menaxherit të prokurimit. Këtë e kanë arsyetuar më infektimin me Covid 19 të dy anëtar të Bordit.

“Lidhur me rastin për të cilin na keni shkruar, KRPP iu informon si në vijim:  KRPP ka pranuar  një kërkese nga OSHP  për Revokim të Certifikatës së prokurimit të Menaxherit të Prokurimit të Komunës së Vitisë, Fadil Abazi. Pas pranimit të kërkesës nga ana e OSHP-së, Bordi i KRPP-së ka formuar komisionin për shqyrtimin e kësaj kërkese, mirëpo gjatë shqyrtimit të kërkesës dy anëtar të komisionit janë infektuar me COVID-19. Si pasojë e kësaj kemi pasur vonesa në përgatitjen e Raportit, tani komisioni ka përgatitur Raportin dhe e ka sjelle tek Bordi i KRPP-së. Bordi i KRPP-së ende nuk ka marr një vendim përfundimtarë, pas marrjes se vendimit një kopje do ta ndajmë me ju”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së për lajmi.net, ndërkohë që nga ajo kohë kanë kaluar disa muaj dhe tashmë komuna ka shpallur fituesit për të dytën herë.

Megjithëkëtë lajmi.net ka mësuar se Komisioni i autorizuar nga Bordi që disa javë e ka dorëzuar raportin  e vlerësimit, derisa vendimi për tërheqje të certifikatës u lëshua më datë 31 Maj 2021. /M.B –Lajmi.net/