Komuna e Sokol Halitit sfidon ligjin për t’i dhënë tender kompanisë së njerëzve të afërt më LDK-në

Komuna e Vitisë e cila udhëhiqet nga kryetari Sokol Haliti po e sfidon Ligjin e Prokurimit Publik vetëm që të lidhë kontratë milionëshe pronarët e të cilëve janë të afërt me zyrtarë të LDK-në.

Lajme

05/02/2021 20:39

Fiks 1. 989. 808, 29 euro peshon tenderi për “Ndërtimi i rrugës Viti –Kërbliq –Kaqanik –Faza e II”, të cilën Komuna që udhëhiqet nga Sokol Haliti i LDK-së është bërë gati ta nënshkruaj në kundërshtim më të gjitha ligjet në fuqi.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ose siç njihet ndryshe “Gjykata e tenderëve” e ka urdhëruar Komunën e Vitisë që këtë tender ta anulojë në tërësi ngase ka gjetur shkelje të shumta gjatë hartimit të dosjes së tenderit, shkruan lajmi.net

Komuna është e vendosur që të sfidojë organin kompetentë që e mbikëqyr Ligjin e Prokurimit dhe të nënshkruaj më kompaninë “Pro &Co Group” SHKP  -“Eskavatori”, ku kompania e parë është e afërt me njerëzit e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Komuna nuk e ka nënshkruar kontratën akoma. Lajmi.net ka mësuar se, nëse komuna do të nënshkruaj kontratën Organi Shqyrtues i Prokurimit do t’i shqiptojë një gjobë Komunës në vlerë prej 5000 eurove, si dhe do t’ia revokojë licencën menaxherit të prokurimit, Fadil Abazi.

Si erdhi deri të shkelje?

Komuna e Vitisë, njoftimi për kontratë për këtë aktivitet të prokurimit e ka publikuar në sistemin E-prokurimi me datë 02.10.2020. Kriteri bazë për dhëni të kontratës ka qenë: Tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët. Në garë kanë qenë tetë kompani.

Para se të shpallej fituesi, disa kompani janë ankuar në Komunë se në dosjen e tenderit janë vendosur kritere diskriminuese. Komuna ua ka hedhur poshtë pretendimet, ndërsa ka bërë korrigjimin e disa kritereve dhe dosjen e ka ngarkuar në e-prokurim. Duke qenë të pa kënaqura me korrigjimet e Komunës, kompanitë janë ankuar në OSHP. Ky institucion ka gjetur shkelje në kriteret e vendosura dhe ka nxjerr vendim më 16.11.2020 ku e obligonte Komunën që të bëjë ndryshimet e nevojshme në dosjen e tenderit.

Komuna e respektoi këtë vendim dhe bëri disa ndryshime në dosjen e tenderit, por jo ashtu siç e udhëzoi OSHP-ja.

Hapja e tenderëve është bërë më 30 nëntor. Më datën 03 dhjetorë 2020, Autoriteti Kontraktues –Komuna e Vitisë ka njoftua për shpalljen e fituesit si dhe ka njoftuar kompanitë për arsyet e eliminimit. Me këtë rast fitues është shpallur kompania “Pro& Co Group” SHPK që ka qenë në konzercium me kompaninë “Eskavatori”. Oferta e tyre ishte 1. 989. 808, 29 euro. Pati oferta edhe më të lira, por ato u vlerësuan si të pa përgjegjshme nga ana e prokurimit komunal.

Më këtë vendim nuk u pajtuan disa kompanitë, pasi konstatuan se komuna nuk kishte bërë ndryshimet e nevojshme në dosjen e tenderit siç kishte udhëzuar OSHP-ja, për më tepër kishte përzgjedhur edhe një kompani që nuk i plotësonte kërkesat, dhe se disa prej kritereve i ishin përshtatur kompanisë fituese.

OSHP-ja për të dytën herë shoshiti kërkesat e tyre dhe më datë 28.12.2020 nxori vendim ku e urdhëronte Komunën të anulojë njoftimin për dhënie të kontratës dhe të anulojë krejt aktivitetin e prokurimit, duke thënë se “nëse autoriteti kontraktues ka interes për këtë aktivitet të prokurimit ta ritenderojë konform dispozitave të LPP-së”.

OSHP-ja gjeti se Komuna përsëri përdori kritere diskriminuese ndaj kompanive, ose kritere favorizuese ndaj një kompanie.

“Paneli shqyrtues sqaron se për këtë aktivitet të prokurimit ka nxjerr vendim PSH. Nr.793 -807/20 me datën 16.11.2020, ku është obliguar AK që të bëjë ndryshimet në dosjen e tenderit dhe të veprojë konform nenit 53.7 të LPP-së, si dhe në këtë vendim është konstatuar që sipas nenit 26.4 të RUUPP-së së “Gjatë përcaktimit të kërkesave minimale për kualifikim AK do t’i kushtojë rëndësi të veçantë zhvillimit të OE-ve dhe do të formulojë kërkesat minimale të kualifikimit në mënyrë që nuk përjashton OE të themeluara rishtazi të cilat posedojnë aftësi të arsyeshme dhe të mjaftueshme ekonomike, financiare dhe ose teknike”. Pra Paneli Shqyrtues sqaron së në vendimin e cekur si më lartë është obliguar AK që të plotësojë –ndryshojë kërkesat në dosjen e tenderit dhe pas këtyre ndryshimeve të vazhdojë me aktivitetin e prokurimit. Kurse, AK në kundërshtim me këtë vendim ka vazhduar me vlerësimin, ekzaminimin dhe krahasimin e tenderëve”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Pra, Paneli shqyrtues pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, shqyrtimit të pretendimeve ankimore të OE ankues, konstatimeve dhe rekomandimeve të ekspertit të vetë shqyrtues, si dhe konstatimeve të vendimit paraprak PSH.nr. 793 -807/20, ka ardhur në përfundim se Komuna nuk ka zbatuar udhëzimet e dhëna në vendimin paraprak.

“Si pasojë e veprimeve të njëanshme të AK-së, ka rezultuar me vlerësimin e tenderëve në kundërshtim me neni 59 të LPP-së dhe në kundërshtim me vendimin e Panelit shqyrtues. Andaj duke pasur parasysh ecurinë e këtij aktiviteti të prokurimi, Paneli shqyrtues vlerëson se një shkelje e ligjit ka ndodhur siç është përcaktuar në nenin 62 të LPP-së dhe në këto rrethana ky aktivitet i prokurimit duhet të anulohet. Për më tepër anulimi i këtij aktiviteti të prokurimi duhet të bëhet për shkak të diskriminimit apo favorizimit të operatorëve ekonomik në kundërshtim me nenin 7 të LPP-së, si dhe AK nuk ka bërë ndryshimet e nevojshme në dosjen e tenderit lidhur më kërkesat ku Paneli shqyrtues kishte nxjerr vendim për këto kërkesa”, thuhet në vendimin e Panelit të OSHP-së.

Zyra e prokurimit të Komunës së Vitisë, vendosi të respektojë vendimin e OSHP-së. Me datë 14. Janar 2021 nxori vendim që e anulonte krejt procedurën e prokurimit. “Një dispozitë në Ligjin e Prokurimit kërkon anulimin e aktivitet të Prokurimit; Sipas Vendit të OSHP-së nr.103/20”, thuhet në vendimin e Komunës të cilin e ngarkoi në e-prokurim.

Jashtë çdo procedure ligjore, me datën 27 janar 2021, Prokurimit komunal ngarkoi në e-prokurim një dokumentin i cili thotë se: “Komuna e Vitisë, pas ankesës dhe Vendimit, nr 01/2021, shpërblen me kontratë, Pro& Co Group; Company Eskavatori në vlerë totale 1, 989. 808, 29 euro”.

Në vendimin e dytë OSHP-ja nuk kishte lenë mundësi anekseje, kishte rekomanduar palët që nëse ankesa t’i drejtohen Gjykatës Themelore -Departamentit për çështje admistrative. Por, një kompani u ankua në Komunë duke mos u pajtuar me anulimin e aktivitetit të prokurimit. Komuna nuk e hodhi poshtë menjëherë ankesën, por vendosi që tenderin ta kthejë në rivlersim, ani pse kishte bërë njoftim për anulim të aktivitetit të prokurimit, konfom udhëzimit të OSHP-së. Rrezoi pretendimet e kompanisë ankuese dhe shpalli përsëri fitues kompaninë “Pro& Co Group”.

Më këtë rast, autoriteti kontraktues bëri dy shkelje: Nuk respektoi vendimin e OSHP-së. Dhe tentoi që ta anulojë/ta shpallë të pa vlefshme vendimin e OSHP-së

 

 

Autoriteti Kontraktues me datë 28.12 kishte pranuar vendimin e formës së prerë për anulimin e procedurës nga Paneli i OSHP-së, të cilin edhe sipas Ligjit të Prokurimit është i detyruar t’a zbatojë, dhe parimisht nuk ka pasur hapësirë ligjore që të nxjerrë vendim tjetër që bie ndesh me vendimin e OSHP-së.

Autoriteti Kontraktues nuk ka kompetencë ligjore për ta bërë anulimin e vendimeve të cilat i nxjerrë Organi Shqyrtues i Prokurimit, as t’i shpallë të pavlefshme, apo t’i bëjë pa efekt juridik, pasi që sipas nenit 99 pika 3, shqyrtimi i këtyre vendimeve bëhet pranë gjykatave kompetente në pajtim me LPP-në.

Lajmi.net ka gjetur se pronari i kompanisë “Pro& Co Group”, Florent Emini është i afërt me zyrtarë të LDK-së.

Megjithëkëtë, sipas ueb-faqes së ARBK-së pronarë me letra e kompanisë është Armenda Beqiri Emini, e cila është bashkëshortja e Florentit, por ky i fundit shihet në fotografitë e publikuara ne facebook nga kompania, si dhe ka të vendosur numrin e tije të telefonit në ueb faqen e arbk-së.

Florenti është vëllai i ish zëvendës ministres së Pushtetit Lokal, Fatbardha Emini e cila ishte emëruar në qeverisjen e kryeministrit Kurti, si emërim kampi i LDK-së.

Fatbardha Emini është kandidate për deputete të LDK-së edhe në këto zgjedhje. Atë po e mbështetë edhe vëllai i saj, Florenti Emini. Me herët ka qenë asambliste e LDK-së në Viti dhe zëdhënëse e Komunës.

Njëkohësisht, Florent Emini është edhe pronar i klubit futbollistik, i cili gjendet në ligen e parë  FC VITIA.

Kompania e Eminit ka fituar disa kontrata në vitin e kaluar nga institucionet publikë që kapin vlerën prej 8.3 milionë eurove, në mesin e tyre edhe nga Komuna e Vitisë./Lajmi.net/

Vendimi dyte i OSHP-së: