Komuna e Vitisë shpërblen kundërligjshëm një kompani 150 mijë euro më të shtrenjtë

Komuna e Vitisë, gjegjësisht Zyra e Prokurimit të kësaj komune i ka përmbushur të gjitha kushtet që prokuroria të hetojë seriozisht një tender në vlerë prej rreth 2 milionë euro.

Lajme

08/05/2021 19:07

Për të dytën herë është tenderuar nga Komuna e Vitisë projekti: “Ndërtimi i rrugës Viti –Kërbliq –Kaçanik – Faza e II”. Herën e parë, Organi Shqyrtues i Prokurimit e urdhëroi këtë komunë që ta kthejë nga fillimi procesin, ngase kishte vendosur në dosjen e tenderit disa kërkesa që favorizonin kompani të caktuara ose diskriminonin kompani të tjera.

Në tenderin e ri-ritender, Komuna e Vitisë ka shpallur fituesit, duke proceduar kundërshtime kundruall kërkesave që i ka vendosur vet, shkruan lajmi.net.

Ndërkohë, prokurimi komunal nuk e ka përfillur një opinion të lëshuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit që të bëhen disa ndryshime në dosjen e tenderit, të cilat sipas AKK-së kanë qenë në kundërshtim me ligjin.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik ka filluar që disa muaj procedurën për shqyrtimin e evokimit të certifikatës së prokurimit të menaxherit të zyrës së prokurimit komunal, lidhur me shkeljet që kanë ndodhur në herën e parë, kur ishte shpallur ky tender në tetor të vitit 2020. Për, procedimin e tenderit të parë për këtë projekt, të cilin më pas e kishte anuluar komuna, ka nisur hetimeve dhe policia e krimeve komike.

Komuna procedon kundërligjshëm edhe herën e dytë

Për projektin “Ndërtimi i rrugës Viti –Kërbliq –Kaçanik – Faza e II” me 29 prill, prokurimi i komunës ka shpallur fitues grupin e kompanive “Rahovica Comerc” & Quality Aspalt” & “Mirusha Company” & “Atc Com” –Ferizaj, me çmim 1. 863.133, 48. Komuna ka përzgjedhur kompaninë e tretë më të shtrenjtë, pasi dy kanë qenë më të lira për rreth 150 mijë euro, për të dyja janë eliminuar nga komisioni komunale për arsyeje të ndryshme.

Ne garë kanë qenë: Grupi i kompanive “Euro Abi”shpk& “Begisholli” –Tiranë –Viti me vlerë 1.888.599, 97 euro.

Grupi i kompanive “Pro&Co Group” & “Company Eskavatiri” –Kllokot 1.952.820,69 euro.

Grupi i kompanive “Sallahu” & Sa-Sallahu” –Kaqanik 1.719.660, 79.

Grupi “El-Bau” & “Florin G” & “Limons Staneci” –Gjilan 1.717.735,80 euro.

Grupi i kompanive “Rahovica Comerc”& “Quality Asphalt” & “Mirusha”& “ATV COM” –Ferizaj, me çmim 1. 863.133, 48.

Kompania “Ndërtimi Ing” shpk –Malishevë 2. 033.278. 35 euro.

Sipas dokumentacionit të ofertimit që e ka parë lajmi.net, as grupi i kompanive fituese nuk i kanë plotësuar kërkesat e dosjes së tenderit, që vetë komuna i ka vendosur. Lidhur me kërkesat mbi mundësitë teknike dhe/ose profesionale, kërkesa nr 2 thotë “OE të ofrojë listën me stafin e të punësuarve, minimumi 60 punëtorë”, ndërsa grupi i kompanive fituese ka ofruar të bashkangjitur vetëm 36 kontrata të punëtorëve.

Kërkesa nr 2, EO është dashur të sjellë listat e së paku 45 punëtorëve –origjinal nga ATK për tri vitet e fundit nga njoftimi për kontratë.

Fituesi nuk e ka plotësuar këtë kërkesë, pasi në ofertë e ka bashkangjitur listat origjinale vetëm për vitin 2020 të operatorëve ekonomik “Rahovica Comerc” dhe “Quality Asphalt”, ndërsa për dy vitet tjera (2019 dhe 2018) nuk ka bashkangjitur dokumentet  kërkuara. Ndërsa “Mirusha” dhe “ATC” kanë ofruar listat nga ATK vetëm për vitin 2020 të cilat nuk janë origjinale.

Po ashtu, lajmi.net ka gjetur se as stafi profesionale nuk është ofruar konform kërkesave të kërkuara nga komuna, si për: një bachelor i gjeodezisë, teknik i gjeodezisë, punonjës të certifikuar në lëmin e ndërtimtarisë.

Me rastin e krijimit të grupit të konsorciumit, operatorët ekonomik nuk i janë referuar këtij aktiviteti të prokurimit, dhe Autoritetit Kontraktues KK Viti, por KK Ferizaj, duke vendosur kështu edhe numrin e prokurimit i cili nuk i referohet aktivitetit në fjalë.

Ndërkohë, tek marrëveshja e konzerciumit, neni 1 thuhet se “Anëtarët e konzerciumit është i njëzëshëm për themelimin: “Rahovica Comerc” & Quality Aspalt” & “Mirusha Company” & “Atc Com” në tekstin e mëtejshëm “konzerciumi” dhe do të ofrojnë ofertën përmes bartësit të konzorciumit për tenderin e shpallur nga” Komuna e Ferizajt” Titull: “Ndërtimi i rrugës Viti –Kërbliq-Kacanik –Faza II, nr i prokurimit: 657 -20-5829-5-1-1, nr i brendshëm: VI 657-20-054-511”.

Në ankesën 6, kërkesa nr 6 –Autobotë (tanket) e ujit, grupi i kompanive i shpallur fitues ka prezantuar në listë pasjen Mercedes, mirëpo mungon dëshmia e kërkuar –libreza e regjistrimit e cila është kërkesë që të jetë me regjistrim valid.

Tek aneksi 1, pika 7, ku është kërkuar një ngarkues, grupi i OE fitues ka ofertuar pajisjen Eskavator, të identifikuar D.U.D. Kjo pajisje e ofertuar, sipas dokumentit nuk duket të jetë dëshmi e qëndrueshme, ngase shihet që është bërë ndërhyrje me kimik, duke fshirë “Eksavator” dhe duke shkruar në D.U.D – “Ngarkues”.

Komuna nuk e merr parasysh Agjencinë Kundër Korrupsionit

Me datë 7 prill 2021, Agjencia Kundër Korrupsionit kishte lëshuar një opinion për Komunën e Vitisë duke konsideruar se janë bërë disa shkelje në njoftimin për kontratë “Ndërtimi i rrugës Viti –Kërbliq-Kaqanik Faza II –Ritender”.

AKK-ja kërkonte që komuna të ndërmarrtë veprimet e nevojshme për evitimin e shkeljeve të cilat binin ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik.

“Agjencia në bazë të dokumenteve të nxjerra nga platforma E-Prokurimi ka vërejtur se në njoftimin për kontratë dhe në dosjen e tenderit , në nenin III.2.4) Kapacitete teknike dhe profesionale, autoriteti kontraktues ka kërkuar: OE të ofrojë listë me staf e të punësuar, min 60 punëtorë. Dëshmia e kërkuar dokumentare: Operatori Ekonomik duhet të sjell listën e së paku 30 punëtorëve origjinal nga ATK për tri vitet e fundit nga Njoftimi për kontratë. Kërkesë kjo për të cilën AKK konsideron se nuk është në pajtim me dispozitat e Ligjit në fuqi për prokurimin publik. Më saktësisht me nenin 69. Sipas dispozitave në fuqi, autoriteti kontraktues mund të kërkojë minimumin e mesatares së fuqisë punëtore dhe stafit menaxheria për secilin nga 3 vitet e fundit, ku si dëshmi mund të kërkojë një deklaratë apo raport për fuqinë punëtore mesatare dhe numrin mesatar të personelit udhëheqës të operatorit ekonomik për secilin nga tri vitet e kaluara”, thuhet në opinion e AKK-së.

Tutje aty thuhet se “Agjencia Kundër Korrupsionit konsideron se një kërkesë e tillë e vendosur është diskriminuese dhe nuk u mundëson operatorëve tjerë të cilët kanë një numër minimal të fuqisë punëtore të ofertojnë për këtë kontratë”.

“Duke cekur një kufizim të tillë, autoriteti kontraktues favorizon vetëm operatorët ekonomik të cilët kanë këtë numër të punëtorëve ose më tepër edhe në këtë mënyrë i eliminon operatorët tjerë të cilët kanë një nunër të kënaqshëm të punëtorëve”, thuhet në ndër tjera në opinion e AKK-së, në të cilin në fund është konsideruar se shkeljet e tilla nuk duhet të lejohen në aktivitete e prokurimit, andaj AKK-ja ka rekomanduar që të evitohen ato, duke i njoftuar të gjithë operatorët ekonomik të cilët kanë tërhequr dosjen e tenderit.

“Po ashtu ju njoftojmë se lidhur me këto të gjetura do të njoftohet Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik”, thuhet në fjalinë e fundit të AKK-së.

Sipas dokumenteve të ngarkuar në E-Prokurim për këtë projekt, lajmi.net ka parë që prokurimi komunal nuk e ka zbatuar fare opinionin e AKK-së, por ka proceduar ashtu siç e kishte nisur, sipas të cilave kritere edhe ka shpallur fituesit. Mbetet të shihet nëse AKK-ja do të ndërmarrë masa në këtë rast.

Shkeljet e mëdha në procedurën e parë që aktivizuan hetuesinë

Komuna e Vitisë, njoftimin për kontratë për këtë aktivitet të prokurimit e ka publikuar në sistemin më datë 2 tetor 2020.

Para se të shpallej fituesi, disa kompani ishin ankuar në Komunën e Vitisë se në dosjen e tenderit janë vendosur kritere diskriminuese. Komuna ua ka hedhur poshtë pretendimet, ndërsa ka bërë korrigjimin e disa kritereve dhe dosjen e ka ngarkuar në e-prokurim. Duke qenë të pakënaqura me korrigjimet e komunës, kompanitë janë ankuar në OSHP. Ky institucion ka gjetur shkelje në kriteret e vendosura dhe ka nxjerr vendim, ku e obligonte komunën që të bëjë ndryshimet e nevojshme në dosjen e tenderit. Komuna e respektoi këtë vendim dhe bëri disa ndryshime në dosjen e tenderit, por jo ashtu siç e udhëzoi OSHP-ja.

Më datën 3 dhjetor 2020, komuna ka njoftua për shpalljen e fituesit.

Fitues është shpallur kompania “Pro& Co Group” SHPK që ka qenë në konzercium me kompaninë “Eskavatori”. Oferta e tyre ishte 1. 989. 808, 29 euro. Pati oferta edhe më të lira, por ato u vlerësuan si të pa përgjegjshme nga ana e prokurimit komunal.

Më këtë vendim nuk u pajtuan disa kompani, pasi konstatuan se komuna nuk kishte bërë ndryshimet e nevojshme siç kishte udhëzuar OSHP-ja, për më tepër kishte përzgjedhur edhe një kompani që nuk i plotësonte kërkesat dhe se disa prej kritereve i ishin përshtatur kompanisë fituese.

OSHP-ja për të dytën herë trajtoi kërkesat e tyre dhe më datë 28.12.2020, nxori vendim ku e urdhëronte komunën të anulojë njoftimin për dhënie të kontratës dhe të anulojë krejt aktivitetin e prokurimit, duke thënë se “nëse autoriteti kontraktues ka interes për këtë aktivitet të prokurimit ta ritenderojë konform dispozitave të LPP-së”, dhe për këtë vendim urdhëroi palët që të ankohen vetëm në gjykatë dhe jo më në komunë apo OSHP.

Zyra e Prokurimit të Komunës së Vitisë, vendosi të respektojë vendimin e OSHP-së, duke bërë publikim për anulimin e aktivitetit të prokurimit.

Por, jashtë çdo procedure ligjore, më datën 27 janar 2021, prokurimi komunal ngarkoi në e-prokurim një dokumentin i cili thotë se: “Komuna e Vitisë, pas ankesës se një kompanie dhe Vendimit, nr 01/2021, shpërblen me kontratë, Pro& Co Group; Company Eskavatori në vlerë totale 1, 989. 808, 29 euro”.

Në vendimin e dytë OSHP-ja nuk kishte lenë mundësi anekseje, kishte rekomanduar palët që nëse ankesa t’i drejtohen Gjykatës Themelore -Departamentit për Çështje Admistrative. Por, një kompani u ankua në komunë duke mos u pajtuar me anulimin e aktivitetit të prokurimit. Komuna nuk e hodhi poshtë menjëherë ankesën, por vendosi që tenderin ta kthejë në rivlerësim, ani pse kishte bërë njoftim për anulim të aktivitetit të prokurimit, konform udhëzimit të OSHP-së. Rrezoi pretendimet e kompanisë ankuese dhe shpalli përsëri fitues kompaninë “Pro& Co Group”.

Më këtë rast, autoriteti kontraktues bëri dy shkelje: Nuk respektoi vendimin e OSHP-së dhe tentoi që ta anulojë/ta shpallë të pa vlefshme vendimin e OSHP-së.

Më pas komuna duke vepruar në frikë se mund t’i tërhiqet licenca menaxherit të prokurimit vendosi të anulojë përsëri procedurën e prokurimit.

Edhe në këtë vendim menaxheri i prokurimit ka bërë shkelje flagrante, pasi procedurën e anuloi Zyra Ligjore e Komunës dhe jo vetë menaxheri i prokurimit.

Grupi i kompanive që kishte fituar herën e parë “Pro& Co Group” SHPK që ka qenë në konzercium me kompaninë “Eskavatori”, në ofertën e dytë –ritender ka vendosur çmim Mbi 35 mijë euro ofertë më tënshtrejtë, ani pse dosja e tenderit në herën e dytë është korrigjuar, ku janë hequr disa pozicione.

Lidhur me veprimet e  kundërligjshme të herës së parë nga Komuna, policia e krimeve ekonomike është duke e hetuar rastin.

KRPP-ja neglizhon rastin

Meqenëse në procedurën e parë ishin bërë shkelje të mëdha, OSHP-ja kishte dërguar kërkesë për trajtim në KRPP në fillim të muajit shkurt.

KRPP-ja e ka neglizhuar që disa muaj nxjerrjen e një vendimi për rastin e menaxherit të prokurimit. Këtë e kanë arsyetuar më infektimin me Covid 19 të dy anëtar të Bordit.

“Lidhur me rastin për të cilin na keni shkruar, KRPP iu informon si në vijim:  KRPP ka pranuar  një kërkese nga OSHP  për Revokim të Certifikatës së prokurimit të Menaxherit të Prokurimit të Komunës së Vitisë, Fadil Abazi. Pas pranimit të kërkesës nga ana e OSHP-së, Bordi i KRPP-së ka formuar komisionin për shqyrtimin e kësaj kërkese, mirëpo gjatë shqyrtimit të kërkesës dy anëtar të komisionit janë infektuar me COVID-19. Si pasojë e kësaj kemi pasur vonesa në përgatitjen e Raportit, tani komisioni ka përgatitur Raportin dhe e ka sjelle tek Bordi i KRPP-së. Bordi i KRPP-së ende nuk ka marr një vendim përfundimtarë, pas marrjes se vendimit një kopje do ta ndajmë me ju”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së për lajmi.net, ndërkohë që nga ajo kohë kanë kaluar disa muaj dhe tashmë komuna ka shpallur fituesit për të dytën herë.

Megjithëkëtë lajmi.net ka mësuar se Komisioni i autorizuar nga Bordi që disa javë e ka dorëzuar raportin  e vlerësimit.

Lajmi.net ka marr informacione se dy anëtarët e Bordit kanë qenë pro revokimit të certifikatës së menaxherit të prokurimit, por rastin e ka neglizhuar deri më tani kryetari i Bordit të KRPP-së.

Madje, burimet e njëjta kanë bërë të ditur se kryetari tashmë e ka centralizuar edhe Departamentin e Rregullave, duke ua marrë kompetencat personave të autorizuar që të mos lëshon askush asnjë interpretim lidhur më kërkesat e palëve për interpretim të ligjit ne çështje të ndryshme, kësisoj një gjë të tillë është duke e bërë veç ai dhe një zyrtare tjetre. /Mentor Buzhala –Lajmi.net/