KRPP-ja neglizhon vendimin për revokimin e certifikatës së shefit të prokurimit të Vitisë

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik –KRPP ka shkelur ligjin për trajtimin e një kërkese të Organit Shqyrtues të Prokurimit që ka të bëjë me shqyrtimin e revokimit të certifikatës së prokurimit, menaxherit të Zyrës së Prokurimit të Komunës së Vitisë.

Lajme

09/03/2021 20:44

Organi Shqyrtues i Prokurimit ose siç njihet ndryshe OSHP-ja ka kërkuar nga KRPP-ja që të tërheqë certifikatën e shefit të prokurimit të menaxherit të prokurimit të Komunës së Vitisë, ngase ai nuk e ka përfillur një urdhër të këtij institucioni, shkruan lajmi.net.

Komuna nuk e kishte përfillur urdhëresën e OSHP-së që të bëjë anulimin e aktivitetit të prokurimit për tenderin “Ndërtimi i rrugës Viti –Kërbliq –Kaçanik – Faza e II”.

Është bërë një muaj dhe KRPP-ja akoma nuk e ka nxjerrë vendimin në ankesën e OSHP-së.

Sipas legjislacionit sekondar të Ligjit për Prokurimin Publik, afati kohorë i paraparë për trajtimin e kërkesës së OSHP-së ka qenë 15 ditë pune.

“Kërkesa me shkrim dhe dokumentacioni i kompletuar, do të ekzaminohet dhe shqyrtohet nga komisioni i brendshëm, në afat prej 15 ditë punë nga data e vendimit të Bordit të KRPP-së për emërimin e komisionit. Për rastet e ndërlikuara, apo që nuk janë të caktuara me nenin 5 dhe 6 të kësaj rregullore, komisioni do të ketë edhe një afat shtesë prej 5 ditëve pune për të dhënë mendimin e vet”, thuhet në nenin 13 të kësaj rregulloreje.

Neni gjashtë i kësaj rregulloreje e ka klasifikuar këtë situatë si ‘shkelje e rëndë’. “Mos respektimi i vendimeve të OSHP-së dhe KRPP-së”, është klasifikuar si shkelje e rendë.

Kjo rregullore në nenin 12 ka paparë edhe tërheqjen e licencës së menaxherit të prokurimit në këtë rast. “Për shkeljen të rendë të dispozitave të prokurimit publik dhe legjislacionit dytësor duke përfshirë edhe ato të specifikuara në nenin 6 të kësaj rregullore, bordi i KRPP-së duke u bazuar në propozimin e komisionit do të vendos për revokimin e certifikatës profesionale të prokurimit brenda dhjetët ditëve të punës nga data kur komisioni ka dhënë propozimin e vet. Çdo revokim i certifikatës së prokurimit publik publikohet në ueb-faqen e KRPP-së”, thuhet  ne nenin 12 të Masat disiplinore të shkeljes së rendë”.

OSHP-ja kishte dërguar kërkesë për trajtim në KRPP në fillim të muajit shkurt, ndërsa më 17 shkurt KRPP-ja kishte kthyer këtë përgjigje për lajmi.net

“KRPP ka pranuar nga OSHP një Kërkesë për Revokim të Certifikatës së prokurimit të Menaxherit të Prokurimit të Komunës së Vitisë, z. Fadil Abazi. KRPP ka formuar Komisionin për shqyrtim të Kërkesës së OSHP-së. Tani, rasti është në proces të shqyrtimit. Pas përfundimit të procesit, do t’iu informojmë lidhur me vendimin që do të merret”, thuhej në këtë përgjigje.

Komuna e Vitisë, njoftimi për kontratë për këtë aktivitet të prokurimit e ka publikuar në sistemin më datë 2 tetor 2020.

Para se të shpallej fituesi, disa kompani janë ankuar në Komunë se në dosjen e tenderit janë vendosur kritere diskriminuese. Komuna ua ka hedhur poshtë pretendimet, ndërsa ka bërë korrigjimin e disa kritereve dhe dosjen e ka ngarkuar në e-prokurim. Duke qenë të pa kënaqura me korrigjimet e Komunës, kompanitë janë ankuar në OSHP. Ky institucion ka gjetur shkelje në kriteret e vendosura dhe ka nxjerr vendim, ku e obligonte Komunën që të bëjë ndryshimet e nevojshme në dosjen e tenderit. Komuna e respektoi këtë vendim dhe bëri disa ndryshime në dosjen e tenderit, por jo ashtu siç e udhëzoi OSHP-ja.

Më datën 3 dhjetor 2020, Komuna ka njoftua për shpalljen e fituesit.

Fitues është shpallur kompania “Pro& Co Group” SHPK që ka qenë në konzercium me kompaninë “Eskavatori”. Oferta e tyre ishte 1. 989. 808, 29 euro. Pati oferta edhe më të lira, por ato u vlerësuan si të pa përgjegjshme nga ana e prokurimit komunal.

Më këtë vendim nuk u pajtuan disa kompani, pasi konstatuan se komuna nuk kishte bërë ndryshimet e nevojshme siç kishte udhëzuar OSHP-ja, për më tepër kishte përzgjedhur edhe një kompani që nuk i plotësonte kërkesat dhe se disa prej kritereve i ishin përshtatur kompanisë fituese.

OSHP-ja për të dytën herë trajtoi kërkesat e tyre dhe më datë 28.12.2020, nxori vendim ku e urdhëronte komunën të anulojë njoftimin për dhënie të kontratës dhe të anulojë krejt aktivitetin e prokurimit, duke thënë se “nëse autoriteti kontraktues ka interes për këtë aktivitet të prokurimit ta ritenderojë konform dispozitave të LPP-së”, dhe për këtë vendim urdhëroi palët që të ankohen vetëm në gjykatë dhe jo më në komunë apo OSHP.

Zyra e prokurimit të Komunës së Vitisë, vendosi të respektojë vendimin e OSHP-së, dukë bërë publikim për anulimin e aktivitetit të prokurimit.

Por, jashtë çdo procedure ligjore, më datën 27 janar 2021, prokurimi komunal ngarkoi në e-prokurim një dokumentin i cili thotë se: “Komuna e Vitisë, pas ankesës se një kompanie dhe Vendimit, nr 01/2021, shpërblen me kontratë, Pro& Co Group; Company Eskavatori në vlerë totale 1, 989. 808, 29 euro”.

Në vendimin e dytë OSHP-ja nuk kishte lenë mundësi anekseje, kishte rekomanduar palët që nëse ankesa t’i drejtohen Gjykatës Themelore -Departamentit për çështje admistrative. Por, një kompani u ankua në Komunë duke mos u pajtuar me anulimin e aktivitetit të prokurimit. Komuna nuk e hodhi poshtë menjëherë ankesën, por vendosi që tenderin ta kthejë në rivlerësim, ani pse kishte bërë njoftim për anulim të aktivitetit të prokurimit, konform udhëzimit të OSHP-së. Rrezoi pretendimet e kompanisë ankuese dhe shpalli përsëri fitues kompaninë “Pro& Co Group”.

Më këtë rast, autoriteti kontraktues bëri dy shkelje: Nuk respektoi vendimin e OSHP-së. Dhe tentoi që ta anulojë/ta shpallë të pa vlefshme vendimin e OSHP-së.

Më pas komuna duke vepruar në frikë se mund t’i tërhiqet licenca menaxherit të prokurimit vendosi të anulojë përsëri procedurën e prokurimit.

Edhe në këtë vendim menaxheri i prokurimit ka bërë shkelje flagrante, pasi procedurën e anuloi Zyra Ligjore e Komunës dhe jo vetë menaxheri i prokurimit. /Lajmi.net/