Ndizet flakadani i “Flakës së Janarit 2015”

Para Teatrit të Qytetit në Gjilan sonte është ndezur flakadani i “Flakës së Janarit 2015”, ku edhe është improvizuar një skenografi që simbolizon sakrificën e dëshmorëve, heronjve e martirëve të kombit.

Lajme

14/01/2015 18:54

Në emër të kryetarit, Lutfi Haziri, ndezjen e flakadanit e ka bërë kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe djali i dëshmorit Mulla Idriz Gjilanit, Isa Mullaidrizi. Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, zyrtarë komunal dhe përfaqësues nga jeta kulturore e Gjilanit.

“Ndihem shumë e privilegjuar që m’u dha rasti ta ndezi flakadanin, duke e ditur se “Flaka e Janarit” është një manifestim mbarëkombëtar në shenjë respekti për të rënët për liri. Falë veprës së dëshmorëve, ne sot jetojmë të lirë”, tha me këtë rast kryesuesja Bunjaku-Rexhepi.

Ndërsa përgjegjësi i Njësisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Bujar Haziri është shprehur se sivjet ky manifestim sivjet i kushtohet 70-vjetorit të masakrës së Gjilanit dhe të gjithë të rënëve që nga koha e lavdishme e Skënderbeut deri tek lufta e fundit.

“E veçantë e Flakës së Janarit në këtë vit është sepse i kushtohet masakrës së Gjilanit, ku humbën jetën mbi 8 mijë qytetarë”, tha pos tjerash ai.  

Agjenda e Manifestimit “Flaka e Janarit 2015” vazhdon me katër shtyllat e kulturës: artin pamor, artin letrar, artin skenik dhe artin muzikor.

Manifestimi “Flaka e Janarit 2015” ka nisur sot me vizitën e Lutfi Haziri në kazermën e FSK-së, për të vazhduar me homazhe në varrezat e dëshmorëve e lapidarëve, si dhe është organizuar pritje për familjet e dëshmorëve në sallën e Kuvendit Komunal. (rajonipress)