Në një postim, ajo ka thënë se rasti konkret i studentëve shqiptarë në Francë, që përmes presionit detyruan “Le Monde diplomatique” të tërheqin postimin për Hashim Thaçin dhe UÇK-në, ngre pyetje të madhe për diplomacinë.
“Studentët shqiptarë dëshmuan se angazhimi qytetar mund të sjellë rezultate konkrete. Tani institucionet duhet të japin llogari për veprimet që kanë ndërmarrë dhe për ato që kanë munguar” shkroi ajo.
Sipas Musliu-Shoshit, diplomacia matet me veprime, ndikim dhe mbrojtje të interesave shtetërore, gjë që ka munguar në këtë rast konkret.
Ky është postimi i plotë i saj:
Atë që duhet ta bëjë diplomacia e shtetit, po detyrohen ta bëjnë studentët shqiptarë!
Rasti i studentëve shqiptarë në Francë, të cilët arritën të ndikojnë në tërheqjen e një postimi të Le Monde diplomatique për Hashim Thaçin dhe UÇK-në, ngre një pyetje të madhe për diplomacinë e Kosovës.
Ku janë ambasadat tona? Ku është Ministria e Punëve të Jashtme? Ku është reagimi institucional kur vihet në diskutim e vërteta e luftës çlirimtare?
Nuk mjaftojnë deklaratat patriotike në Prishtinë. Diplomacia matet me veprime, me ndikim dhe me mbrojtjen e interesave të shtetit në arenën ndërkombëtare.
Studentët shqiptarë dëshmuan se angazhimi qytetar mund të sjellë rezultate konkrete. Tani institucionet duhet të japin llogari për veprimet që kanë ndërmarrë dhe për ato që kanë munguar.
Historia e UÇK-së nuk mbrohet me fjalime për konsum të brendshëm, por me diplomaci aktive dhe përgjegjësi shtetërore!