Ndërtesa shumëkatëshe në Rrugën C kthehet në simbol të një investimi të dështuar, dhjetëra familje pretendojnë se janë dëmtuar (VIDEO)

Një ndërtesë shumëkatëshe në Rrugën C në Prishtinë është kthyer në simbol të një investimi të dështuar, duke lënë pas dhjetëra familje të zhgënjyera dhe me humbje të konsiderueshme financiare. Në vitin 2018, kompania International Invest Group kishte lidhur kontrata me banorë dhe pronarë tokash në këtë zonë për ndërtimin e një kompleksi banesor. Sipas…

Lajme

06/03/2026 21:50

Një ndërtesë shumëkatëshe në Rrugën C në Prishtinë është kthyer në simbol të një investimi të dështuar, duke lënë pas dhjetëra familje të zhgënjyera dhe me humbje të konsiderueshme financiare.

Në vitin 2018, kompania International Invest Group kishte lidhur kontrata me banorë dhe pronarë tokash në këtë zonë për ndërtimin e një kompleksi banesor. Sipas marrëveshjeve, disa qytetarë investuan kursimet e tyre për të blerë banesa në objektin e ri, ndërsa të tjerë dorëzuan shtëpitë dhe tokën, me marrëveshje që në këmbim të përfitonin njësi banesore në kompleksin që do të ndërtohej, transmeton lajmi.net.

SHIKOJENI STORIEN E LAJMI.NET: 

Sipas dokumenteve kontraktuale, më vonë marrëveshjes i ishte shtuar edhe një aneks që specifikonte afatet për përfundimin e punimeve. Megjithatë, banorët thonë se këto afate nuk u respektuan asnjëherë dhe projekti mbeti i papërfunduar.

Disa nga të dëmtuarit kanë vendosur që rastin ta çojnë në organet e drejtësisë, duke kërkuar përgjegjësi dhe kompensim për dëmin e shkaktuar.

Mes tyre është edhe Agron Selimi, i cili për këtë projekt hoqi dorë nga shtëpia dhe toka e tij, me besimin se në këmbim do të përfitonte banesa në kompleksin e ri. Ai thotë se nga një marrëveshje që duhej të siguronte të ardhmen e familjes së tij, sot ka mbetur vetëm me dokumente dhe me një proces të gjatë ligjor.

Selimi tash e një kohë ka angazhuar edhe avokat dhe e ka dërguar rastin në organet e drejtësisë, por thotë se procesi është zvarritur për vite të tëra. Sipas tij, kjo situatë i ka shkaktuar edhe telashe të mëdha financiare dhe tashmë nuk ka shumë shpresë për një zgjidhje të shpejtë.

Përveç tij, edhe një tjetër person që ka dashur të mbetet anonim, e që ka lëshuar tokën e tij për ndërtimin e kompleksit, ka rrëfyer për lajmi.net për gjithë ngjarjen dhe problemet me të cilat është përballur pas marrëveshjes me kompaninë ndërtuese.

Ndërkohë, edhe pse banesat ende nuk janë përfunduar, sipas të dëmtuarve, disa njësi në këtë objekt po reklamohen për shitje në internet përmes agjencive të patundshmërive.

Lajmi.net ka gjetur edhe postime ku shiten banesa në këtë kompleks banesor. Për këtë çështje është kontaktuar edhe investitori, Isuf Gashi. I pyetur për vonesën gati gjashtëvjeçare në përfundimin e projektit, ai është shprehur se vonesa të tilla ndodhin edhe në projekte të tjera.

Për të kuptuar më shumë rreth rastit, lajmi.net ka dërguar pyetje edhe në Gjykatën Themelore në Prishtinë për të mësuar në cilën fazë ndodhet lënda dhe sa ka avancuar procesi gjyqësor, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.

Po ashtu, pyetje janë dërguar edhe në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, për të sqaruar nëse leja ndërtimore për këtë projekt është ende valide apo nëse ka skaduar apo është pezulluar. Gjithashtu është kërkuar informacion për statusin aktual të projektit sipas evidencave të komunës dhe nëse janë kryer inspektime në këtë lokacion.

Deri tani, as nga komuna nuk ka pasur përgjigje zyrtare.

Ndërkohë, lajmi.net thotë se ka siguruar edhe dëshmi dhe biseda të cilat pritet të publikohen në vazhdim, lidhur me ndryshimin e pronarit të kompanisë International Invest Group me seli në Klinë, si dhe lidhjet e mundshme familjare mes pronarit aktual të kompanisë dhe gjyqtares që po trajton këtë lëndë./lajmi.net/