Musliu kërkon hetim të plotë për cenimin e sigurisë së kampit të Njësisë Speciale në Vrellë
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar hetim të plotë dhe profesional lidhur me rastin e cenimit të sigurisë në kampin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë, pas raportimeve se një influencer i huaj kishte hyrë në kamp dhe kishte marrë pamje nga aty. Përmes një postimi, Musliu…
Lajme
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar hetim të plotë dhe profesional lidhur me rastin e cenimit të sigurisë në kampin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë, pas raportimeve se një influencer i huaj kishte hyrë në kamp dhe kishte marrë pamje nga aty.
Përmes një postimi, Musliu ka bërë të ditur se i është drejtuar zyrtarisht Drejtorit të Policisë së Kosovës, duke kërkuar sqarime lidhur me rastin, ndërsa ka njoftuar se tashmë ka pranuar përgjigjen për pyetjet e adresuara.
Ajo ka theksuar se, meqenëse Inspektorati Policor i Kosovës ka iniciuar hetim preliminar për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë, do të presë përfundimin e hetimeve.
Musliu ka shprehur shqetësimin për cenimin e sigurisë së objekteve vitale të sigurisë së vendit, duke kërkuar që përgjegjësitë të identifikohen mbi bazën e fakteve dhe institucionet përkatëse të japin llogari për çdo mangësi të mundshme.
“Llogaridhënia institucionale nuk është zgjedhje, por detyrim”, ka theksuar ajo, duke kërkuar transparencë dhe përgjegjësi institucionale për rastin.
Deputetja e PDK-së ka bërë thirrje që, pas përfundimit të hetimeve, të publikohen gjetjet përkatëse dhe të ndërmerren masat e nevojshme për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Në fund, Musliu ka falënderuar mediat për raportimin e rastit dhe kontributin në vënien në lëvizje të organeve përgjegjëse. /Lajmi.net/
Postimi i plotë: