Musliu i drejtohet Haxhiut: Është deputete mediokre – Lista Serbe ishte në koordinim me VV-në

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kritikuar ashpër kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke e akuzuar se ka shkelur Kushtetutën dhe se nuk mund t’u kërkojë të tjerëve respektimin e saj. Musliu e ka cilësuar Haxhiun si “deputete mediokre”, ndërsa ka thënë se ajo, sipas saj, është ulur në karrigen e kryetares së Kuvendit në…

Lajme

09/09/2026 23:30

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka kritikuar ashpër kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke e akuzuar se ka shkelur Kushtetutën dhe se nuk mund t’u kërkojë të tjerëve respektimin e saj.

Musliu e ka cilësuar Haxhiun si “deputete mediokre”, ndërsa ka thënë se ajo, sipas saj, është ulur në karrigen e kryetares së Kuvendit në mënyrë të jashtëligjshme.

“Albulena Haxhiu është një deputete mediokre, një kryetare e Kuvendit që është ulur në karrigen e Kuvendit jashtëligjshëm. Albulena Haxhiu duhet ta respektojë Kushtetutën e pastaj të kërkojë nga të tjerët ta respektojnë”, ka deklaruar Musliu për RTV21.

Ajo ka kritikuar Haxhiun edhe për mënyrën se si është menaxhuar seanca e Kuvendit, duke pretenduar se kryetarja nuk do të lejonte një veprim të tillë nëse do të bëhej nga një deputet tjetër.

“Albulena, po të ishte e vëmendshme, nuk do të priste pauzën për ta ndalur mikrofonin e deputetit të Listës Serbe. Mua do të ma ndalte”, është shprehur Musliu.

Në vijim, Musliu ka bërë edhe një pretendim për raportet mes Listës Serbe dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Lista Serbe ishte në koordinim me VV-në”, ka deklaruar ajo.