​SHBA-ja ndalon importin e disa produkteve kanadeze

SHBA-ja do të ndalojë importin e disa produkteve të qumështit, motoçikletave dhe shumicës së pijeve alkoolike nga Kanadaja, në kuadër të luftës tregtare mes dy vendeve. Masa do të hyjë në fuqi më 29 shtator, sipas Associated Press. Vendimi erdhi pasi Kanadaja vendosi të martën tarifa hakmarrëse ndaj rreth 20 miliardë dollarëve importe amerikane, pas…

Bota

09/09/2026 16:10

SHBA-ja do të ndalojë importin e disa produkteve të qumështit, motoçikletave dhe shumicës së pijeve alkoolike nga Kanadaja, në kuadër të luftës tregtare mes dy vendeve. Masa do të hyjë në fuqi më 29 shtator, sipas Associated Press.

Vendimi erdhi pasi Kanadaja vendosi të martën tarifa hakmarrëse ndaj rreth 20 miliardë dollarëve importe amerikane, pas dështimit të negociatave tregtare me administratën e presidentit Donald Trump.

Trump gjithashtu urdhëroi përjashtimin e produkteve kanadeze nga kontratat e mëdha dhe afatgjata të qeverisë amerikane, derisa Kanadaja të lejojë “reciprocitet të plotë dhe të drejtë” për produktet amerikane.

Kryeministri kanadez Mark Carney tha se strategjia e vendit synon të ulë varësinë nga SHBA-ja dhe të diversifikojë tregtinë. Mbi 70% e eksporteve kanadeze aktualisht shkojnë në SHBA, përcjell KosovaPress.

Përshkallëzimi nisi pasi SHBA-ja vendosi më 22 gusht tarifa prej 50% ndaj rreth 5% të importeve kanadeze, duke akuzuar Kanadanë për trajtim të padrejtë të industrive amerikane të qumështit, alkoolit dhe automobilave.

Tarifat kanadeze, që përfshijnë çelikun, aluminin, djathin, pajisjet, veshjet, kozmetikën dhe makineritë bujqësore, variojnë nga 15% deri në 50% dhe prekin rreth 20 miliardë dollarë mallra amerikane.

Ndërkohë, Kanadaja po shqyrton forcimin e marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian, ndërsa të dyja palët nuk duket se po nxitojnë të rikthehen në negociata.