Moti kryesisht me diell dhe vranësira të pjesshme gjatë javës së ardhshme në Kosovë
Gjatë javës së ardhshme, nga e hëna deri të premten, në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa në disa zona të hënën mund të ketë riga të dobëta shiu. Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), në mëngjeset e së martës dhe së mërkurës pritet të krijohen…
Lajme
Gjatë javës së ardhshme, nga e hëna deri të premten, në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa në disa zona të hënën mund të ketë riga të dobëta shiu. Sipas parashikimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), në mëngjeset e së martës dhe së mërkurës pritet të krijohen kushte për mjegull, veçanërisht në zonat e larta.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 0 deri në 7 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 9 deri në 15 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga verilindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra në sekondë.
E hëna do të karakterizohet nga mot me diell dhe vranësira të shpërndara, me mundësi për riga shiu në disa zona. Të martën dhe të mërkurën do të vazhdojë moti me diell dhe vranësira të herëpashershme, ndërsa në orët e para të ditës mund të paraqitet mjegull. Të enjten parashihet mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara, kurse të premten pritet mot kryesisht i vranët.
Sipas IHMK-së, kushtet biometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme. Megjithatë, mëngjeset e ftohta dhe ndryshimet e temperaturave gjatë ditës mund të ndikojnë te personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore. Për këtë arsye, rekomandohet veshje e përshtatshme, veçanërisht gjatë mëngjesit dhe mbrëmjes.
Sa u përket kushteve agrometeorologjike, pavarësisht mungesës së lagështisë, në zonat ku kushtet e tokës e lejojnë, rekomandohet vazhdimi i fushatës së mbjelljeve vjeshtore. Në zonat e larta ekziston mundësia e paraqitjes së brymës dhe mjegullës, kryesisht gjatë mëngjeseve.
Ndërkaq, indeksi UV do të mbetet i ulët gjatë gjithë javës, ndaj rreziku nga rrezatimi ultravjollcë do të jetë minimal dhe nuk pritet të nevojiten masa të veçanta mbrojtëse. /Lajmi.net/