Moslarja e rregullt e dhëmbëve iu rrezikon nga kjo sëmundje

Për këtë arsye insistoni që prindërit tuaj të moshuar të lajnë të paktën dy herë në ditë dhëmbët dhe gjuhën.

Lifestyle

18/10/2021 09:24

Larja e përditshme e dhëmbëve duhet të jetë pjesë përbërëse e ritualit të mirëmbajtjes së çdo njeriu. Ky është një nga ato zakone të shëndetshme që na mësohen që në fëmijëri nga prindërit dhe më pas në shkollë.

Por jo çdo këshillë e kësaj periudhe na duket e vlefshme edhe gjatë rritjes. Ritmi i punës, të ngrënit jashtë, ushqimi i shpejtë, mungesa e informacionit apo dhe vetë përtacia bën që ta neglizhojmë larjen e dhëmbëve.

Ajo që nuk dini është se larja e dhëmbëve nuk mban thjesht gojën pastër dhe mbron dhëmbët nga kariesi dhe mikrobet e tjera, por ka shumë efekte pozitive në organizëm.

Studimet e ndryshme kanë treguar që mungesa e higjienës orale rrit rrezikun e prekjes nga Alzheimer për moshën e tretë. Për këtë arsye insistoni që prindërit tuaj të moshuar të lajnë të paktën dy herë në ditë dhëmbët dhe gjuhën.

Mungesa e higjienës orale është shumë e dëmshme edhe për të prekurit nga diabeti. Goja e thatë krijon një habitat perfekt për rritjen e mikrobeve dhe baktereve të ndryshme. Në rast se nuk keni mundësi të lani dhëmbët mbani gjithmonë me vete fill dentar dhe çamçakëz pa sheqer.

Stresi është një ndër armiqtë kryesor të shëndetit. Presioni i lartë që na bëhet çdo ditë dhe marrëdhëniet emocionale e tendosura nxisin stresin. Mungesa e higjienës orale krijon inflamacione të ndryshme në gojë që më pas ndikojnë në shfaqjen e stresit.

Moslarja e dhëmbëve dëmton gjithashtu zemrën tuaj,më saktë pllakëzat e gjakut dhe arteriet. Lani dhëmbët çdo ditë që të shmangni mundësinë e shfaqjes së atakut kardiak dhe hemoragjisë cerebrale.

Sipas Organizatës Botërore Shëndetësore, mungesa e higjienës orale kalb indet lidhëse mes dhëmbëve, duke dobësuar në këtë mënyrë sistemin imunitar të trupit. Humbja e eshtrave (osteoporoza) që shoqëron pleqërinë lidhet ngushtë me moslarjen e dhëmbëve. /Lajmi.net/