Martesa e tifozit të Crvena Zvezdës shkakton kaos në veri

Të shtëna armësh dhe bllokadë totale të komunikacionit për rreth 15 minuta ka ndodhur të shtunën rreth mesditës në qendër të veriut të Mitrovicës nga ana e grupit të ashtuquajtur ‘Delije’, ndërsa policia nuk ka qenë në gjendje të zgjidhë këtë kaos. 

Lajme

15/11/2014 19:24

Sipas këtyre burimeve, protagonist i tërë kësaj situate ka qenë Branisllav Todoroviq-Bozho nga Zveqani, i njohur si prijës i grupit ‘Delije’ në veri (tifozë të klubit Crvena Zvezda nga Beogradi), i cili është martuar sot. 

“Dasmorët kanë ndalur automjetet e tyre duke bllokuar të tërën rrugën ‘Kral Petar’ në qendër të qytetit, ndërsa shumë prej tyre kanë dalë nga automjetet dhe kanë shtënë me armë në ajër përreth 15 minuta”, kanë thënë burime të Kosovapress. 

Burimet më tej kanë shtuar se një polic i Kosovës që ndodhej afër vendngjarjes me inicialet N.S. (emri i të cilit është i njohur për redaksinë) ka provuar të ndërhyjë për të qetësuar situatën, por është kërcënuar me jetë, dhe është tërhequr menjëherë. 

Mësohet po ashtu se polici në fjalë ka ftuar kolegët nga stacioni i veriut për ndihmë dhe asistim, por askush nuk i është përgjigjur thirrjes së tij. 

KosovaPress-i, ka provuar të kontaktojë me përgjegjësit e policisë në veri të Mitrovicës, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.