Marotta: Klubet e Serie A mund të falimentojnë
Shefi ekzekutiv i Interit Beppe Marotta ka paralajmëruar se klubet e Serie A mund të fillojnë të shkatërrohen nëse pagat e lojtarëve nuk reduktohen së shpejti.
Sport
Kriza e Covid-19 ka çuar në tkurrje financiare në të gjitha klubet e Serie-A, me pronarët e Interit, Suning që thuhet se kërkojnë investitorë të rinj për të ndihmuar në uljen e shpenzimeve.
Marotta, duke folur për “Corriere della Sera” tha se sistemi italian i futbollit po arrin pikën më të ulët, duke lënë të kuptohet se liga duhet të propozojë një ulje kolektive të pagave të lojtarëve, përcjell KosovaPress.
“Kostot e punës janë një peshë e madhe për financat e klubeve për momentin,” tha ai.
“Me të ardhurat ditore nga ndeshjet qe tashmë nuk ekzistojnë dhe mbështetjen e zvogëluar financiare nga sponsorët e klubeve, klubet duhet të përdorin 65% të qarkullimit të tyre vjetor për të paguar lojtarët e tyre. Kjo do të çonte në probleme të shumta në çdo industri biznesi.”
“Ne duhet të studiojmë mënyra për të përmbajtur humbjet tona financiare, kampionati dhe federata do të duhet të punojnë së bashku për këtë. Problemi ekziston në të gjithë Evropën: recesioni financiar lind jashtë, për çudi, nga mungesa e aktivitetit në afatin kalimtar të janarit deri më tani”, vazhdoi Marotta
“Shumë klube në Serie A janë të shqetësuar se ata nuk mund të përballojnë t’iu paguajnë lojtarëve të tyre pagat sipas kontratave që ishin nënshkruar në një botë para-Covid-19.”
“CdS” po ashtu njofton se Lega Serie A, organi që përfaqëson të gjitha 20 klubet e Serie A, po planifikon t’i kërkojë Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) të shtyjë afatin e fundit për klubet për të paguar pagat për nëntor-dhjetor 2020, i cili aktualisht është i vendosur në 16 Shkurt.
Liga është gjithashtu duke shpresuar që qeveria italiane do të sigurojë një lloj pakoje mbështetëse financiare për të ndihmuar klubet, por bashkëpunimi i deritanishëm thuhet të ketë qenë “inekzistent”.