Maresca zbulon sekretin se si e mposhti PSG-në
Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, u shpreh me entuziazëm pas triumfit bindës të skuadrës së tij ndaj Paris Saint-Germain, duke e konsideruar fitoren në finalen e Kupës së Botës për Klube si një sukses që barazohet me Ligën e Kampionëve. Chelsea mposhti PSG-në me rezultat 3-0 në finalen e edicionit të parë të formatit të…

Sport
Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, u shpreh me entuziazëm pas triumfit bindës të skuadrës së tij ndaj Paris Saint-Germain, duke e konsideruar fitoren në finalen e Kupës së Botës për Klube si një sukses që barazohet me Ligën e Kampionëve.
Chelsea mposhti PSG-në me rezultat 3-0 në finalen e edicionit të parë të formatit të ri të turneut të FIFA-s, të zhvilluar të dielën. Të tre golat u shënuan në pjesën e parë: dy prej tyre nga Cole Palmer dhe një tjetër nga Joao Pedro.
“Kam ndjesinë se kjo garë do të jetë po aq e rëndësishme, nëse jo më e rëndësishme se Liga e Kampionëve,” deklaroi Maresca, i cili vetëm pak muaj më parë kishte fituar Ligën e Konferencës me Blutë.
Italiani mori drejtimin e Chelseat vetëm një vit më parë, pasi kishte qenë më herët pjesë e stafit teknik të Pep Guardiolës te Manchester City, gjatë sezonit kur ata fituan Ligën e Kampionëve në vitin 2023.
“Isha me fat të isha pjesë e stafit të një skuadre që fitoi Champions-in, por kjo garë përfshin më të mirat nga çdo kontinent. Mendoj se duhet ta vlerësojmë në të njëjtin nivel,” shtoi ai.
Ky triumf do t’i mundësojë Chelseat të mbajë stemën e kampionit botëror në fanellë për katër vitet e ardhshme, diçka që Maresca e cilësoi si “burim krenarie për klubin dhe tifozët”.
Trajneri italian zbuloi se kishte udhëzuar lojtarët që të ishin agresivë që në minutat e para ndaj PSG-së. “Mesazhi ishte i qartë: jemi këtu për të fituar. Dhe besoj se në 10 minutat e para ua treguam këtë. Ajo që pasoi ishte meritë e cilësisë së jashtëzakonshme që kemi në skuadër,” theksoi Maresca.
Ylli i ndeshjes ishte Cole Palmer, i cili përveç dy golave, dha edhe asistin për golin e tretë. 23-vjeçari anglez, që ishte një nga fytyrat promovuese të turneut në billboard-et e New Yorkut përkrah Mbappé dhe Vinicius Junior.