Maqedonia toleron krimet e frymëzuara nga urrejtja etnike
Autoritetet maqedonase po shpërfillin krimet e frymëzuara nga urrejtja etnike, njofton Komiteti Lokal i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
Lajme
Në një raport të fundit, shkruan \”BalkanInsight\”, më shumë se 80% e sulmeve nga urrejtja “përfshinin maqedonas dhe shqiptarë etnikë”.
Orientimi seksual dhe identiteti gjinor ishin shkaqe që qëndronin pas 9 për qind të sulmeve, ndërsa besimi fetar ishte shkak për 7 për qind të sulmeve të tilla nga urrejtja.
Sipas raportit, shumica e incidenteve kanë ndodhur në kryeqytet, në Shkup dhe në pjesën perëndimore të vendit, të përziera nga pikëpamja etnike, në Tetovë, Gostivar, Strugë dhe Kumanovë.
Raporti thekson se 72% e incidenteve për shkak të urrejtjes kanë ndodhur në Shkup, transmeton Shekulli.
Po ashtu, thuhet se vitin e shkuar policia arrestoi dhunuesit për vetëm 27 raste krimesh të urrejtjes dhe vetëm një rast sulmi ndaj qendrës LGBT në Shkup u paraqit në gjyq.
“Është për t’u shqetësuar që autoritetet qëndrojnë të heshtura përballë dhunës etnike. Këto krime ose nuk raportohen, ose policia nuk i heton ato në mënyrën e duhur”, tha kryetarja e Komitetit të Helsinkit, Uranija Pirovska.
Pirovska tha se ka një prirje institucionale për t’i kamufluar krimet e urrejtjes si akte të zakonshme dhune, të cilat nuk dënohen aq ashpër me ligj.
“Ata kanë krijuar një tablo të pasaktë mbi atë që po ndodh”, shtoi ajo.
Në raportin e fundit për krimet e urrejtjes etnike, Komiteti i Helsinkit raportoi 116 incidente të tilla gjatë vitit 2013.