Maqedoni e Veriut, në afërsi të Radovishit gjenden 43 migrantë në një kamion

Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, në nëntë ditët e fundit në territorin e Maqedonisë së Veriut në total janë kapur 178 migrantë.

Lajme

05/03/2020 17:02

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se ka gjetur 43 migrantë në një kamion afër Radovishit.

“Sot, në rrugën rajonale Strumicë-Radovish, afër kryqëzimit për Radovish, efektivët e policisë ndaluan një kamion Volkswagen me targa të Shkupit, i drejtuar nga D.Gj. (43) nga Shkupi. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën 43 migrantë. D.Gj. u ndalua në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të çështjes kundër tij do të paraqitet një raport adekuat”, tha ministria në një deklaratë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mbrëmë pranë Shtipit po ashtu u gjetën 17 emigrantë. Zëdhënësja e Sektori për Punë të Brendshme – Shtip, Gordana Panajotova, tha se emigrantët, të cilët udhëtonin ilegalisht afër Shtipit, u kapën nga efektivët e policisë në Qendrën Rajonale Lindje dhe u dërguan në qendrën e pranimit në Gjevgjeli.

Më 27 shkurt po ashtu u kapën 40 emigrantë pranë fshatit Lakavica afër Shtipit.

Pastaj, më 1 mars, policia dhe Qendra Rajonale Lindore pranë Shtipit në lagjen “Tre Çeshmet” kapën 78 emigrantë në një kamion dhe arrestuan dy trafikantë.

Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, në nëntë ditët e fundit në territorin e Maqedonisë së Veriut në total janë kapur 178 emigrantë.

Të martën, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, vizitoi kufirin jugor dhe Qendrën Transitore Vinojug – Gjevgjeli.

Në një prononcim për mediat, Pendarovski theksoi se “aktualisht nuk është regjistruar ndonjë numër i madh i emigrantëve të paligjshëm, përveç atyre të zakonshëm për këtë kohë të vitit”.

Ai shtoi se asnjë rritje e mëtejshme e emigrantëve nga Greqia fqinje nuk pritet të hyjë në Maqedoninë e Veriut.

Pendarovski informoi se kontigjenti i ushtrisë në kufirin jugor është rritur. Gjithashtu, ai tha se nëse ka një valë më të madhe emigrantësh, të gjitha institucionet përkatëse janë gati.

Presidenti i vendit tha se gjatë krizës së migrantëve në vitet 2015 dhe2016 mbi 1.300.000 njerëz kaluan nëpër territorin e vendit.