Mali i Zi nuk e “kopjon” Shqipërinë, s’do të ndërtojë qendra për migrantët e paligjshëm
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka deklaruar se në territorin e vendit nuk do të ndërtohen qendra për pranimin e migrantëve të paligjshëm, sic pritet të ndodh në Shqipëri, pavarësisht raportimeve se Podgorica është në listën paraprake të vendeve ku Bashkimi Evropian mund të hapë qendra të tilla. Në një postim në rrjetin…
Lajme
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka deklaruar se në territorin e vendit nuk do të ndërtohen qendra për pranimin e migrantëve të paligjshëm, sic pritet të ndodh në Shqipëri, pavarësisht raportimeve se Podgorica është në listën paraprake të vendeve ku Bashkimi Evropian mund të hapë qendra të tilla.
Në një postim në rrjetin social X, Spajiq tha se Mali i Zi nuk ka zhvilluar negociata për ngritjen e këtyre qendrave dhe se qeveria nuk ka marrë asnjë iniciativë zyrtare për hapjen e tyre.
“Kur një iniciativë e tillë të vijë në tavolinë, përgjigjja jonë do të jetë negative”, shkroi ai, transmeton KosovaPress.
Kryeministri nga Podgorica Spajiq theksoi se Mali i Zi mbetet partner i besueshëm i Bashkimit Evropian në mbrojtjen e kufijve të përbashkët dhe menaxhimin e flukseve që lidhen me migrantët, por shtoi se çdo vendim që prek vendin do të merret “me përgjegjësi, transparencë dhe vetëm në përputhje me interesat e qytetarëve të Malit të Zi”.
Deklarata e tij vjen pasi mediat italiane, duke cituar burime pranë qeverisë dhe diplomacisë italiane, raportuan se Mali i Zi është përfshirë në një listë paraprake të shteteve ku BE-ja mund të krijojë qendra të reja për pritjen dhe riatdhesimin e migrantëve të parregullt.
Sipas këtyre raportimeve, ministri i Brendshëm në Romë, Matteo Piantedosi, pritet ta paraqesë planin para homologëve të tij në një mbledhje të jashtëzakonshme të vendeve anëtare të BE-së.
Agjencia italiane ANSA raportoi se strategjia e qeverisë së Giorgia Melonit bazohet në zgjerimin e modelit ekzistues të marrëveshjes me Shqipërinë edhe në shtete të tjera jashtë Bashkimit Evropian. Ndryshe nga modeli me Shqipërinë, qendrat e reja do të financoheshin drejtpërdrejt nga fondet dhe buxheti i përbashkët i BE-së.
Përveç Malit të Zi, në listën e vendeve potenciale për ndërtimin e këtyre qendrave përmenden edhe Tunizia, Libia, Egjipti, Ruanda, Gana, Senegali, Mauritania, Uganda, Uzbekistani, Armenia dhe Etiopia.