Kurti: “Ibër Lepenci” nga 13.8 milionë euro humbje në 4.3 milionë euro fitim

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar sot digën e Ujmanit dhe hidrocentralin e “Ibër Lepencit”, ku është njoftuar nga afër me punën që bëhet në mirëmbajtjen e liqenit, digave, infrastrukturës dhe procesin e prodhimit të energjisë elektrike. Përmes një postimi, Kurti tha se nga kreshta e digës së Ujmanit, e cila është 107 metra…

Lajme

04/08/2026 18:55

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar sot digën e Ujmanit dhe hidrocentralin e “Ibër Lepencit”, ku është njoftuar nga afër me punën që bëhet në mirëmbajtjen e liqenit, digave, infrastrukturës dhe procesin e prodhimit të energjisë elektrike.

Përmes një postimi, Kurti tha se nga kreshta e digës së Ujmanit, e cila është 107 metra e lartë dhe rreth gjysmë kilometri e gjatë, vizituan edhe hidrocentralin e liqenit më të madh në Kosovë.

“Nga kreshta digës së Ujmanit, e lartë 107 metra, e gjerë afërsisht 10 metra dhe e gjatë gjysmë kilometri, te hidrocentrali i liqenit më të madh të Republikës sonë, sot pamë nga afër punën që bëhet në shërbimin e mirëmbajtjes së liqenit, digave dhe infrastrukturës, e po ashtu departamentin e ujit dhe gjenerimit, deri te prodhimi i energjisë elektrike”, ka shkruar Kurti.

Ai theksoi se ndërmarrja publike “Ibër Lepenci” ka rol të rëndësishëm në furnizimin me ujë për industrinë, bujqësinë dhe amvisërinë, ndërsa hidrocentralin e cilësoi si kyç për stabilitetin financiar të ndërmarrjes.

“Derisa ‘Ibër Lepenci’ me rrjetin e kanaleve është tejet i rëndësishëm për furnizimin me ujë për industrinë me theks termocentralet në Kastriot, por edhe për bujqësinë dhe amvisërinë, hidrocentrali është jetik për qëndrueshmërinë financiare të kësaj ndërmarrje”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, ndërmarrja ka shënuar përmirësim të ndjeshëm financiar në vitet e fundit.

“Në vitin 2025 ndërmarrja ka arritur 12.8 milionë euro qarkullim dhe fitimi neto pas heqjes së zhvlerësimit ishte 1.76 milionë euro. Ajo ka dalë me fitim financiar në vazhdimësi që nga viti 2022. Për herë të parë kjo pas luftës së fundit”, ka shkruar Kurti.

Ai shtoi se në periudhën 2022–2025 “Ibër Lepenci” ka realizuar rreth 4.3 milionë euro fitim, ndërsa në katërvjeçarin paraprak 2018–2021 kishte regjistruar 13.8 milionë euro humbje.

Kurti gjithashtu bëri të ditur se nga viti 2024 ndërmarrja tregton energji në bursën Kosovë-Shqipëri “ALPEX”, ndërsa po zhvillohen edhe projekte për modernizimin e hidrocentralit me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Agjencinë Zhvillimore Franceze dhe Bankën Botërore. Ai tha se raporti përfundimtar i studimit të diligjencës për rehabilitimin e hidrocentralit pritet të dorëzohet në shtator të këtij viti. /Lajmi.net/

Kurti: “Ibër Lepenci” nga 13.8 milionë euro humbje në 4.3 milionë euro fitim