Mbi 150 migrantë shpëtohen pas zjarrit në gomone në Kanalin Anglez
Autoritetet franceze njoftuan se 157 migrantë u shpëtuan pasi motori i gomones me të cilën po tentonin të kalonin Kanalin Anglez mori flakë të martën në mëngjes. Mjeti ishte nisur nga brigjet franceze një natë më parë dhe, sipas autoriteteve, gjatë natës pesë persona u shpëtuan, ndërsa pjesa tjetër refuzoi ndihmën, duke këmbëngulur të vazhdonte…
Bota
Autoritetet franceze njoftuan se 157 migrantë u shpëtuan pasi motori i gomones me të cilën po tentonin të kalonin Kanalin Anglez mori flakë të martën në mëngjes.
Mjeti ishte nisur nga brigjet franceze një natë më parë dhe, sipas autoriteteve, gjatë natës pesë persona u shpëtuan, ndërsa pjesa tjetër refuzoi ndihmën, duke këmbëngulur të vazhdonte udhëtimin drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Situata ndryshoi kur zjarri dëmtoi rëndë gomonen, duke e bërë të domosdoshëm evakuimin e të gjithë personave në bord.
Në operacionin e shpëtimit u përfshinë mjete detare franceze dhe britanike. Dy anije franceze shpëtuan 103 migrantë, ndërsa anijet e Forcës Kufitare britanike dhe një mjet i RNLI-së shpëtuan edhe 54 të tjerë. Të gjithë u transportuan në portin e Boulogne-sur-Mer për kontrolle mjekësore, ndërsa autoritetet konfirmuan se nuk pati viktima apo të lënduar.
Qeveria britanike tha se incidenti dëshmon rrezikun e madh të kalimeve me gomone të vogla dhe ritheksoi angazhimin për të bashkëpunuar me Francën në luftën kundër rrjeteve të kontrabandës së emigrantëve.
Ngjarja ka nxitur reagime edhe në skenën politike britanike, ku partitë opozitare kërkojnë masa më të ashpra për frenimin e migracionit të paligjshëm, ndërsa qeveria thekson se, krahas forcimit të kontrolleve kufitare, duhet të krijohen edhe rrugë të sigurta dhe ligjore për azilkërkuesit.
Kalimet me gomone mbeten mënyra më e zakonshme e hyrjes së paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar. Edhe pse numri i tyre këtë vit është më i ulët krahasuar me një vit më parë, autoritetet britanike dhe franceze kanë intensifikuar bashkëpunimin përmes një marrëveshjeje të re, e cila parashikon shtim të patrullimeve, përdorim të dronëve dhe helikopterëve, si dhe masa të tjera për të parandaluar nisjen e gomoneve nga brigjet franceze.