Majlinda dhe Nora përgatiten për Botëror

Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova po përgatiten për Kampionatin Botëror, i cili do të mbahet në muajin gusht. Ato synojnë të arrijnë suksese në evenimentin që do të mbahet në Rusi.

Sport

21/07/2014 15:30

Dy xhevahiret tona, xhudistet Majlinda Kelmendi (52), kampione e Botës dhe e Evropës, si dhe Nora Gjakova (57 kg), përgatiten në Koln të Gjermanisë për Kampionatin Botëror që mbahet me 25-31 gusht të këtij viti në Rusi.

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Driton Kuka, tha për “Bota Sot” se përgatitjet po shkojnë për mrekulli dhe stërvitin në mesin e shumë medalistëve olimpik e botëror. 

Majlinda e Nora punojnë me përkushtim për t’i mbushur bateritë për Kampionatin Botëror. 

Si Majlinda, si Nora, punojnë me fanatizëm të pashoq gjithnjë në kërkim të rritjes së formës dhe të përsosmërisë në aspektit teknik.

“Në Koln jemi me dy garuese: Majlindën dhe Norën, ku janë përgatitje të nivelit më të lartë. Aty janë afër gjashtë shtete më rreth 100 garues dhe më shumë medalist olimpik e botëror. Pas një pune në përgatitje fizike që i kemi zhvilluar në Pejë, këtu tash kemi filluar me përgatitje tekniko-taktike dhe kjo përmes sparingut me garuese të nivelit të lartë”, tha Kuka, duke treguar se këto përgatitje shërbejnë për Kampionatin Botëror. 

“Përgatitjet shërbejnë për Kampionatin Botëror që mbahet në muajin gusht (25-31 gusht) në Rusi. Në Botëror do të udhëtojnë te sigurta Majlinda dhe Nora për tjerë për momentin jemi duke shikuar”, tha Kuka.

Majlinda është kampione e botës, në Rio, ndërsa Nora e shtata. Ndaj, nuk ka më shumë se një muaj para kësaj beteje, në fakt a synoni dy tituj në kategorinë 52 kg dhe 57 kg në Kampionatin Botëror?

“Shkojmë në Botëror për ta prezantuar denjësisht Kosovën. Majlinda është ndër favoritet, kurse Nora kthehet pas nëntë muajve pauzë nga lëndimi, realisht se di se sa do jetë e gatshme për një garë të këtij niveli. Caku ynë është të mos kthehemi duarthatë”, përgjigjet me optimizëm Kuka.

Sa është aftësuar Nora? “Ajo stërvitjet po i përballon me sukses. Qëllimi ynë është që të kthehet me sukses, pa imperativ për medalje. Qëllimi është që ajo të jetë e gatshme për ciklin olimpik kualifikues”, tha ai.

Majlinda në gjashtë muajt e para të viti 2014 ka qenë e jashtëzakonshme duke fituar çdo garë.

Majlinda apo krenaria e sportit tonë prin bindshëm në ranglistën botërore.

“Majlinda sivjet është kurorëzuar edhe me titullin e Kampiones evropiane, ndërsa për Botëror të shohim”, theksoi Kuka.

Përzgjedhësi i Kosovës tha se pas Kolnit do të stërvitin në Pejë dhe pastaj të shkojnë edhe në Slloveni.

“Pas Kolnit e kemi kampin në Pejë një javë, mandej prapë në Slloveni dhe besoj që do ta përmbushim mozaikun e planit përgatitor për Kampionat”, thotë Kuka.

 

Majlinda është ndër favoritet

Driton Kuka, trajneri më i mirë në vend, që zbulon e formon kampion botëror, tha se Majlinda është ndër favorite në Kampionatin Botëror. 

“Shkojmë në Botëror për ta prezantuar denjësisht Kosovën. Majlinda është ndër favoritet, kurse Nora kthehet pas nëntë muajve pauzë nga lëndimi, realisht se di se sa do jetë e gatshme për një garë të këtij niveli. Caku ynë është të mos kthehemi duarthatë”, tha Kuka.