Lushaku-Sadriu: Jemi jashtë afateve kushtetuese, konstituimi nuk po vazhdon për fajin e VV-së
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka kritikuar Vetëvendosjen për mosvazhdimin e procedurës së votimit për nënkryetarët e Kuvendit. Lushaku e ka cilësuar situatën si të paprecedentë, duke thënë se grupi më i madh parlamentar nuk po përkrah propozimet e partive të tjera. “Kjo është situatë e paprecedentë ku nuk vazhdohet konstituimi në mungesë të përkrahjes…
Lajme
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka kritikuar Vetëvendosjen për mosvazhdimin e procedurës së votimit për nënkryetarët e Kuvendit.
Lushaku e ka cilësuar situatën si të paprecedentë, duke thënë se grupi më i madh parlamentar nuk po përkrah propozimet e partive të tjera.
“Kjo është situatë e paprecedentë ku nuk vazhdohet konstituimi në mungesë të përkrahjes nga grupi më i madh për propozimet për nënkryetarë që i kanë bërë partitë e tjera”, tha Lushaku.
Ajo ka deklaruar se LDK-ja qëndron prapa propozimit të saj për Kujtim Shalën si nënkryetar të Kuvendit.
“Ne si parti politike kemi obligim t’i japim propozimet tona më të mira. E kemi propozuar Kujtim Shalën sepse besojmë që përgatitja e tij i jep nder Kuvendit të Kosovës dhe i kemi qëndruar prapa propozimit tonë”, deklaroi ajo.
Lushaku ka theksuar se Kosova tashmë ndodhet jashtë afateve kushtetuese, duke ia atribuar Vetëvendosjes përgjegjësinë për mosvazhdimin e procesit.
“Grupi më i madh parlamentar po harron që jemi veç jashtë afateve kushtetuese dhe jemi në një situatë ku, për dëshirën e mirë, po ia japim mundësinë Kosovës, dhe sot nuk po bëhet kjo për fajin e VV-së”, tha Lushaku. /Lajmi.net/