Rama kritikon Qeverinë për arsimin: PISA duhet të jetë alarm, jo aktakuzë ndaj fëmijëve tanë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Qeverinë për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen arsimi dhe të rinjtë në Kosovë. Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se të rinjve të Kosovës nuk u mungojnë talenti, inteligjenca apo ambicia, por një shtet që potencialin e tyre e vendos në mesin e prioriteteve.…

Lajme

09/09/2026 13:33

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar Qeverinë për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen arsimi dhe të rinjtë në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook, Rama ka thënë se të rinjve të Kosovës nuk u mungojnë talenti, inteligjenca apo ambicia, por një shtet që potencialin e tyre e vendos në mesin e prioriteteve.

“Të rinjve të Kosovës nuk u mungon as talenti, as inteligjenca, as ambicia. U mungon një shtet që potencialin e tyre e trajton si prioritet, jo si slogan, jo si votë, jo si masë që manipulohet me nga 100 euro në prag të zgjedhjeve”, ka shkruar Rama.

Ai ka kritikuar edhe mënyrën e nisjes së vitit të ri shkollor, duke përmendur problemet me furnizimin me libra dhe mungesën e ditarëve, për çka, sipas tij, mësimdhënësit po detyrohen të mbajnë evidencën përmes fletëve të printuara.

Në anën tjetër, Rama ka vënë në pah investimet e Komunës së Prishtinës në digjitalizimin e arsimit. Ai ka thënë se në shkollat e kryeqytetit janë instaluar 180 tabela digjitale, ndërsa mbi 70 për qind e klasave janë pajisur me teknologji moderne.

Rama ka përmendur edhe zbatimin e kurrikulës digjitale, si dhe programin e mësimit gjithëditor, i cili, sipas tij, ka nisur në pesë shkolla dhe është zgjeruar në 12 të tilla.

Sipas tij, në kuadër të këtyre programeve janë siguruar edhe shujta të ngrohta për nxënësit, ushqim i hartuar nga nutricionistë dhe dollapë për nxënësit.

Rama ka thënë se edhe inteligjenca artificiale tashmë është bërë pjesë e procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies në shkollat e Prishtinës.

Duke iu referuar rezultateve të Kosovës në testin PISA, kryetari i Prishtinës ka thënë se ato duhet të shërbejnë si sinjal për institucionet dhe jo si fajësim i nxënësve.

“PISA duhet të jetë alarm për Qeverinë, jo aktakuzë ndaj fëmijëve tanë”, ka shkruar Rama.

Ai ka theksuar se dallimi qëndron mes një politike që mendon vetëm deri në zgjedhjet e ardhshme dhe një politike që planifikon për gjeneratën e ardhshme.

“Kur të rinjtë kanë potencial, por shteti dështon t’ua zhvillojë atë, përgjegjësia nuk duhet t’u faturohet nxënësve. Nota është e qeverisjes”, ka përfunduar Rama. /Lajmi.net/