Lumir Abdixhiku po e përgatit terrenin për marrëveshje me Kurtin, ia bën obligative Grupit Parlamentar respektimin e vendimeve te partisë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka miratuar një sërë vendimesh në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, të cilat i hapin rrugë kryetarit të rikonfirmuar, Lumir Abdixhiku, të vazhdojë negociatat me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një marrëveshje të mundshme politike. Përveç orientimit për shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe funksionalizimin e institucioneve, Kuvendi ka…
Lajme
Lidhja Demokratike e Kosovës ka miratuar një sërë vendimesh në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, të cilat i hapin rrugë kryetarit të rikonfirmuar, Lumir Abdixhiku, të vazhdojë negociatat me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një marrëveshje të mundshme politike.
Përveç orientimit për shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe funksionalizimin e institucioneve, Kuvendi ka obliguar të gjithë zyrtarët dhe deputetët e LDK-së që të respektojnë vendimet e organeve të partisë, transmeton lajmi.net.
Në vendim thuhet: “Të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së obligohen t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë vendimet e miratuara nga organet kompetente të Partisë, në përputhje me Statutin, përfshirë dhe këtë të sotmin”.

Vendimet vijnë pas tensioneve të brendshme në LDK, ku një grup delegatësh kishte kërkuar mbajtjen e Kuvendit për shkarkimin e Abdixhikut, por shumica e delegatëve votoi për vazhdimin e mandatit të tij në krye të partisë.
Megjithatë, brenda Grupit Parlamentar vazhdojnë të ekzistojnë qëndrime të ndryshme lidhur me një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.
Pas Kuvendit, Abdixhiku paralajmëroi se pret që deputetët të respektojnë vendimet e partisë, duke lënë të kuptohet se përgjegjësia për çdo devijim do të jetë individuale.
“Do t’i bëj publikë deputetët që nuk e votojnë presidentin. Do të themi kaq vota i ka LDK-ja, të tjerët dëshirojnë zgjedhje të reja – le ta marrin përgjegjësinë për zgjedhjet. Kuvendi i LDK-së dha deklaratë të qartë që deputetët me gjithë përvojën që kanë, pres ta respektojnë partinë e vetë. Tash po dua stabilitet, po dua qetësi dhe unitet rreth shumicës, kështu funksionon LDK-ja.”, tha ai.
Vendimet e miratuara në Kuvend konsiderohen si një forcim i autoritetit të kryetarit ndaj Grupit Parlamentar në një periudhë kur LDK po shqyrton mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Vetëvendosjen për krijimin e institucioneve të reja. Në të njëjtën kohë, ato vendosin një detyrim politik për deputetët që veprimet e tyre të jenë në përputhje me qëndrimet zyrtare të partisë./Lajmi.net/