Kurti emëron Agron Limanin në krye të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se ka emëruar Agron Limanin në pozitën e kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, duke pasuar në këtë detyrë Andin Hotin. Përmes një postimi, Kurti e përshkroi Limanin si një aktivist shumëvjeçar në kërkimin e drejtësisë për viktimat e luftës, me të cilin, siç tha, ka…

Lajme

31/07/2026 16:47

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se ka emëruar Agron Limanin në pozitën e kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, duke pasuar në këtë detyrë Andin Hotin.

Përmes një postimi, Kurti e përshkroi Limanin si një aktivist shumëvjeçar në kërkimin e drejtësisë për viktimat e luftës, me të cilin, siç tha, ka bashkëpunuar prej më shumë se dy dekadash, transmeton lajmi.net.

Sipas Kurtit, ata kanë organizuar së bashku aksione publike për zbardhjen e krimeve të luftës, përfshirë protestën e vitit 2004 para zyrave të UNMIK-ut, kur u publikua lista me emrat e 56 personave të dyshuar për masakrën e Krushës së Vogël, aksion gjatë të cilit Limani ishte arrestuar.

Kryeministri në detyrë theksoi se Limani është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë”, kushtuar masakrës së Krushës së Vogël, duke shtuar se libri është përdorur si dëshmi nga institucionet e drejtësisë në rastin ku u dënua Darko Tasiq.

Kurti vuri në pah edhe historinë personale të Limanit, duke rikujtuar se ai ka qenë ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa familja e tij është prekur rëndë nga lufta.

“Ai e ka të vrarë vëllain, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës së tij mbesin ende të zhdukur. Ata janë në mesin e 60 personave të pagjetur nga masakra e forcave të armatosura të Serbisë në Krushë të Vogël”, shkroi Kurti.

Sipas tij, angazhimi i Limanit për çështjen e personave të zhdukur ka nisur përmes drejtimit të Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999”. Ai shtoi se Limani është me profesion inxhinier i elektroteknikës dhe më parë ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të Bujqësisë në Komunën e Prizrenit.

Në të njëjtin postim, Kurti ritheksoi se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, pavarësisht, siç u shpreh ai, pengesave dhe sabotimeve nga Serbia.

Ai theksoi gjithashtu se gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë rezultat i punës së institucioneve të Kosovës dhe përsëriti thirrjen ndaj bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion mbi Serbinë për zbatimin e Deklaratës së 2 majit 2023 për personat e zhdukur, duke kërkuar në veçanti hapjen e arkivave të forcave serbe, përfshirë arkivin e Brigadës së Motorizuar 37 të ish-Ushtrisë Jugosllave.

Postimi i plotë:
Sot kam emëruar z. Agron Limani, Kryesues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, pozitë në të cilën paraprakisht ka qenë ministri Andin Hoti.
Me Agronin njihemi prej më shumë se dy dekadash dhe bashkë kemi organizuar aksione në kërkim të drejtësisë, sikur ai i vitit 2004 para zyrave të UNMIK-ut kur publikuam listën me emrat e 56 kriminelëve të dyshuar për masakrën e Krushës së Vogël, aksion për të cilin ai ishte arrestuar.
Ai është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë” për masakrën e Krushës së Vogël, libër i cili u ka shërbyer institucioneve të drejtësisë si dëshmi në rastin ku është dënuar Darko Tasiç. Gjatë luftës, Agroni ka qenë ushtar i UÇK-së, e ka të vrarë vëllain, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës së tij, të tre, mbesin ende të zhdukur. Ata janë në mesin e 60 personave të pagjetur nga masakra e forcave të armatosura të Serbisë në këtë fshat. Misioni i tij në kërkim të së vërtetës dhe drejtësisë kishte nisur me drejtimin e Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999”.
Me profesion është inxhinier i elektroteknikës, ndërsa ka qenë edhe drejtor i Bujqësisë në Komunën e Prizrenit.
Përkundër pengesave dhe sabotimit të vazhdueshëm nga Serbia, ne jemi të përkushtuar dhe të palëkundur në përpjekjet tona në kërkim të së vërtetës, me qëllim zbardhjen e fatit të secilit prej më të dashurve tanë të zhdukur më dhunë gjatë luftës së fundit, si dhe vënien e drejtësisë në vend.
Ndërsa gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë kryekëput rezultat i punës së institucioneve të Republikës së Kosovës, e përsërisim thirrjen për trysni ndërkombëtare që Serbia të zbatojë Deklaratën e 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë, në veçanti për hapjen e arkivave të forcave të saj, përfshirë këtu ndryshimin e vendimit për klasifikim 30 vjeçar, deri më 2044, përkatësisht hapjen e arkivës së Brigadës së Motorizuar 37 të Ushtrisë Jugosllave./lajmi.net/