Lumir Abdixhiku do të mbetet kryetar i partisë, nëse Kuvendi i LDK-së e refuzon dorëheqjen e tij

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do të ofrojë dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Deklarata u dha në një konferencë për media, pas takimit që Abdixhiku zhvilloi me nënkryetarët e LDK-së, ku u diskutuan zhvillimet politike dhe performanca zgjedhore…

Lajme

13/01/2026 19:45

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se do të ofrojë dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë, pas rezultatit të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Deklarata u dha në një konferencë për media, pas takimit që Abdixhiku zhvilloi me nënkryetarët e LDK-së, ku u diskutuan zhvillimet politike dhe performanca zgjedhore e partisë. Ai theksoi se vendimi për dorëheqje vjen si obligim moral dhe politik për të marrë përgjegjësi, transmeton lajmi.net.

“E kam obligim moral dhe politik që të marr përgjegjësinë dhe ta shtroj tutje organizimin politik të LDK-së, përmes ofrimit të dorëheqjes para Kuvendit të LDK-së”, tha Abdixhiku.

Megjithatë, ai sqaroi se në rast se Kuvendi i LDK-së nuk e pranon dorëheqjen e tij, do të jetë i obliguar të vazhdojë ushtrimin e detyrës së kryetarit.

“Nëse Kuvendi i LDK-së nuk e pranon dorëheqjen, të detyron me qëndru në pozitën e kryetarit dhe ta kërkon një gjë të tillë. Është papërgjegjësi t’i shmangesh besimit të anëtarësisë. Kjo është çështje e Kuvendit, jo e imja”, u shpreh ai.

Abdixhiku shtoi se qëllimi i këtij veprimi është hapja e rrugës për ide dhe platforma të reja brenda partisë. “Unë e kam për obligim të shtroj dorëheqjen dhe të hap rrugë për të tjerë që dëshirojnë të prezantojnë një platformë tjetër”, përfundoi ai./lajmi.net/