Lladrovci: Partitë janë të mirëseardhura në listën e përbashkët, por vetëm duke u shkrirë në PDK

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka thënë se partitë politike janë të mirëpritura në listën zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës por sipas tij vetëm duke u shkrirë brenda PDK-së.

Lajme

12/01/2021 12:03

Lladrovci ka thënë se zgjedhjet e shpeshta, edhe pse me qëllim të përparimit të shtetit, ndikojnë në ngadalësimin e shumë proceseve, zbatimin e projekteve, strategjive dhe proceset madhore të shtetit, si për njohjet edhe për integrimin në organizatat ndërkombëtare.

Ai ka thënë se për derisa dihet deri tash, në këto zgjedhje PDK do të garoj e vetme.

Sipas tij PDK duhet ta ketë në garë, vetëm emrin e vet.

Postimi i plotë:

PDK të hap dyert për partitë tjera, por, vetëm duke u shkrirë në PDK!

Më 14 shkurt, janë zgjedhjet nacionale. Zgjedhjet e shpeshta, edhe pse me qëllim të përparimit të shtetit, ndikojnë në ngadalësimin e shumë proceseve, zbatimin e projekteve, strategjive dhe proceset madhore të shtetit, si për njohjet edhe për integrimin në organizatat ndërkombëtare.

Duhet ta dimë se shtetet e forta e të konsoliduara, bëjnë zgjedhje çdo katër vjet. Uroj që kjo praktikë për zgjedhje të shpeshta në Kosovë, të mos përsëritet. Për këtë qëndrueshmëri të institucioneve të dala nga vota e qytetarëve, uroj të ketë bashkëpunim edhe përtej egove të individëve, të qeveris në mandatin e plotë katër vjeçar, sepse, Kosova duhet të jetë e para.

Në këto zgjedhje, deri më tash, PDK, për sa thuhet, do të garoj e vetme. Deri në afatin e fundit, ka mundësi të bëhet bashkëpunim edhe me parti tjera, pse jo. Lista e PDK-së, me gjithë integrimin e profileve të politikanëve të partive tjera, por, sipas mendimit tim, duhet të jetë e vetme, pa shtesa të partive tjera në listën zgjedhore.

Partitë politike janë të mirëseardhura në listën e përbashkët zgjedhore por vetëm duke u shkrirë brenda PDK-së. Kur pranohet partneriteti dhe bashkëpunimi i sinqertë për garën zgjedhore, atëherë emri është i rëndësisë më të vogël. Partitë politike që do të bëhen pjesë e listës tonë, asgjë nuk humbin para qytetarëve as para anëtarëve të vet besnikë, sepse, qëllimi madhor mbetet fitorja e zgjedhjeve dhe vizionit të PDK-së.

Po bashkëpunim dhe partneritet me parime programore, por, PDK duhet ta ketë në garë, vetëm emrin e vet. Jemi mjaftë të fuqishëm e të konsoliduar për ta dëshmuar se asnjë parti që na bashkohet nuk na fuqizon me emrin e vet, përkundrazi. Prandaj, konsideroj që secilit subjekt që i pëlqen programi ynë, duhet t’i pëlqej edhe emri, pa shtesa në emrin e vetëm, Partia Demokratike e Kosovës.

Uroj që secili anëtar, simpatizant dhe qytetar përkrahës i PDK-së, ta kuptojë seriozitetin e këtyre zgjedhjeve dhe të dalë në votime, për mandatin e plotë, katërvjeçar. Kosova ka nevojë për ecje më të shpejt në gjirin e shteteve më të zhvilluara me vizion, qëndrueshmëri dhe besim në vlerat e proklamuara të PDK-së, për më shumë se 20 vjet.

Vlera dhe fuqia e PDK-së është dëshmuar në shtetndërtim, andaj, edhe në këto zgjedhje do të rikonfirmohet rroli prijës i saj, për Kosovën e vlerave euro-atlantike! /Lajmi.net/