Ligjvënësit britanikë duan kontroll mbi mediat sociale

Ligjvënësit britanikë kërkojnë të vendoset një lloj kontrolli mbi rrjetet sociale duke paralajmëruar për një krizë të demokracisë me argumentin se votuesit bombardohen me “pikëpamje të dëmshme” dhe manipulimin e të dhënave.

Auto & Tek

29/07/2018 23:31

Komiteti i formatit dixhital, kulturës, medias dhe sportit po heton mbi dezinformimin e përhapjen e lajmeve të rreme pas daljes në dritë të skandalit te Cambridge Analytica.

Në raportin e tij të parë, deputetët do të sugjerojnë se kompanitë e mediave sociale duhet të përballen me rregulla më të ashpra ose një taksë të re, transmeton top channel.

Aty propozohen gjithashtu masa për të luftuar ndërhyrjen në zgjedhje. Raporti i ligjvënësve angleze vjen pas hetimeve disa mujore mbi ndikimin e gjigantëve të teknologjisë dhe mënyrës se si preken njerëzit nga shtimi i ndjeshëm i lajmeve të rreme në mediat sociale.

Dokumenti kërkon po kështu të shikohet nëse Rusia ka pasur rol në ndikimin e votuesve në referendumin për shkëputjen e mbretërisë së bashkuar nga blloku europian.

Kritika të mëdha i rezervohen veçanërisht facebook-ut, i cili është nën shqyrtim që kur u bë publike çështja e Cambridge Analytica.

“Facebooku ka penguar përpjekjet tona për të marrë informacion në lidhje me kompaninë përgjatë këtij hetimi. Ajo ofroi dëshmitarë të cilët nuk kanë pasur dëshirë ose nuk kanë mundësi t’i japin përgjigje të plota pyetjeve të komitetit”, thuhet në raport, ku sqarohet se do të përsëritet kërkesa që drejtuesi i Facebook, Mark Zuckerberg të thirret për të dhënë dëshmi.