Ligji për të Huajt dhe Ligji për Automjetet | Ragmi Mustafi: Do të sjellin qartësi juridike për shqiptarët e Luginës së Preshevës, jo penalizim

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka reaguar lidhur me nisjen e zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet nga Republika e Kosovës, duke theksuar se këto masa nuk synojnë ndëshkimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por vendosjen e rendit dhe sigurisë juridike. Sipas Mustafit, zbatimi i ligjeve ka filluar…

Lajme

16/01/2026 14:15

Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi, ka reaguar lidhur me nisjen e zbatimit të Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet nga Republika e Kosovës, duke theksuar se këto masa nuk synojnë ndëshkimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, por vendosjen e rendit dhe sigurisë juridike.

Sipas Mustafit, zbatimi i ligjeve ka filluar me një periudhë informuese deri më 15 mars, e cila u jep kohë qytetarëve që jetojnë prej vitesh në Kosovë, por që ende nuk posedojnë dokumente të Republikës së Kosovës, të rregullojnë statusin e tyre ligjor. Ai thekson se këto ligje janë në përputhje me standardet evropiane dhe nuk paraqesin pengesë për hyrjen e qytetarëve nga Lugina në Kosovë.

Mustafi nënvizon se periudha afirmative shërben për të eliminuar pasigurinë administrative që ka ekzistuar për vite me radhë dhe për të krijuar mundësi shtesë për qytetarët në nevojë. Ai rikujton se Qeveria e Kosovës, tashmë prej tri vitesh, ka vënë në funksion Formularin për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për situata të jashtëzakonshme, i cili u mundëson qytetarëve apatridë apo të pasivizuar në Luginën e Preshevës të aplikojnë dhe të pajisen me dokumentacion civil.

Po ashtu, ai përmend se prej dy vitesh ekziston edhe baza ligjore që qytetarët e Luginës të bartin pronat e paluajtshme në emrin e tyre, duke garantuar siguri juridike dhe duke hequr pengesat administrative që më herët ua kanë mohuar këtë të drejtë themelore.

Sipas Mustafit, procedurat për pajisje me dokumente janë lehtësuar ndjeshëm, ndërsa pritet që Kuvendi i Kosovës të miratojë edhe Ligjin e ri për Shtetësinë, i cili do të krijojë një kornizë edhe më gjithëpërfshirëse për këtë kategori qytetarësh.

Ai paralajmëron se pas datës 15 mars zbatimi i ligjeve do të jetë i plotë dhe çdo mosveprim mund të sjellë pasoja administrative të panevojshme. Për këtë arsye, Mustafi apelon për bashkëpunim dhe veprim konkret nga qytetarët, duke theksuar se Kosova mbetet shtet i së drejtës që i trajton shqiptarët e Luginës së Preshevës me dinjitet, barazi dhe respekt për realitetin e tyre jetësor./lajmi.net/