LDK mbarëpopullore

Isa Mustafa e quajti LDK’në si një shprehje të vullnetit të të gjithë shqiptarëve të Kosovës. LDK, sipas tij, bëri ndryshimet e mëdha në favor të pluralizmit politik në të gjithë ish-Jugosllavinë.

Lajme

23/12/2013 14:25

Përvjetori i 24 i themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, është përcjellë kryesisht me kujtimet e ish Presidentit dhe kryetarit të kësaj partie, Ibrahim Rugova.

Nostalgjia e periudhës së tij e ka përfshirë edhe kryetarin aktual, Isa Mustafa.

Themelimi i këtij subjekti politike, sipas Mustafës, ishte nisma e parë shqiptare kundër sistemit të atëhershëm komunist.

Ai e cilësoi LDK’në si një nismë e cila i parapriu ndryshimeve të mëdha për Kosovën, që rrodhën në dekadat e mëpasshme.

“Kam nderin e veçantë që t’i rikujtoj këtu para jush disa nga momentet më të rëndësishme të rritës së LDK-së, si dhe frymën e saj nacionale, demokratike e perëndimore, e cila nuk ka ndryshuar asnjëherë, që nga ajo ditë e madhe e themelimit të LDK’së, më 23 dhjetor 1989, nga Presidenti ynë historik, Ibrahim Rugova dhe intelektualët e atdhetarët më të shquar të Kosovës së asaj kohe”.

 

“Themelimi i LDK’së është akti më i rëndësishëm i rirreshtimit politik e kulturor të popullit të Kosovës në skenën e politikës globale, është akti i refuzimit të ish-sistemit komunist dhe i nisjes pa dilemë në udhën e gjatë, por të pakthyeshme të integrimit në familjen e vendeve të lira dhe demokratike europerëndimore”.

“23 dhjetori shënon edhe fillimin e pluralizmit politik në vendin tonë dhe shkëputjen përfundimtare nga sistemi politik monist, i cili, për fat të keq, pati pasoja shumë të rënda jo vetëm për popullin e Kosovës, por për të gjithë popujt e Evropës Juglindore”.

“Konteksti politik dhe rrethanat shoqërore në të cilat u krijua, bënë që, për shumë vite, LDK’ja të ishte më tepër se një parti; LDK’ja ishte lëvizje gjithë-popullore, e cila mbrojti vlerat kombëtare dhe punoi me ngulm për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

“Kështu, ajo punonte fuqishëm për forcimin e kohezionit të brendshëm të popullit të Kosovës, në njërën anë, si dhe për krijimin e miqve në rrafshin ndërkombëtar, të cilët do ta mirëkuptonin dhe do ta ndihmonin vendin tonë pikërisht kur ne kishim më së shumti nevojë për ndihmën e tyre”.

“Ndërsa në Evropë po binte Muri i Berlinit, LDK-ja nisi shembjen e mureve ndërshqiptare, duke u bërë shpejt, siç thoshte arkitekti i pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ‘shpresë dhe besë për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët’ ”.

“LDK-ja dhe Kryetari i saj i parë, Ibrahim Rugova, idealin e çlirimit nacional të shqiptarëve të Kosovës e shndërruan në projekt konkret politik, të përmbledhur në platformën e njohur: Kosova e pavarur, shtet sovran dhe demokratik, e inkuadruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Mustafa, nuk la pa përmendur edhe figurat tjera që kontribuan për këtë subjekt politik dhe për atë periudhë të historisë së Kosovës të cilët tashmë janë të ndjerë, si Fehmi Agani, Xhemajl Musta dhe shumë të tjerë.

Ai foli edhe për synimet e kësaj partie në periudhën e pas luftës si dhe me programin aktual të saj, përfshirë këtu edhe reformat brenda strukturave partiake.

“Gjatë viteve të fundit, konform rrethanave të reja në liri dhe domosdosë së përshtatjes së veprimtarisë sonë si parti politike me nevojat e kohës, LDK-ja ka punuar shumë për profilizimin e saj të mëtejmë në skenën politike të Kosovës”.

“Me kënaqësi mund të pohoj se LDK-ja tashmë e ka kaluar një proces mjaft të suksesshëm të reformimit të saj të brendshëm, në të cilin kanë qenë të përfshira të gjitha segmentet e saj”.

 

I pari i LDK’së vlerësoi se kjo parti nxori një rezultat të mirë nga zgjedhjet e sapombajtura lokale.

“Lidhja Demokratike e Kosovës këto zgjedhje i përmbylli me një bilanc prej rreth 200 mijë votash. Ky është rezultat i një pune ekipore të zhvilluar në LDK, i Kuvendit, i Këshillit të Përgjithshëm, i Kryesisë, i Degëve dhe nëndegëve të LDK-së”.

Mustafa me këtë rast, nuk ka lënë pa përmendur aspiratat e tij për të fituar në zgjedhjet qendrore që pritet të mbahen në vitin e ardhshëm.

“Në LDK, jemi të bindur se trendi i rritjes së LDK’së do të vazhdojë me ritme edhe më të larta në zgjedhjet nacionale, që do të mbahen në vitin e ardhshëm, të cilat, pa dyshim, LDK’ja do t’i fitojë për t’ia rikthyer qytetarit të Kosovës qeverisjen e ndershme dhe llogaridhënëse, atë tip qeverisjeje që, fatkeqësisht, Kosovës i ka munguar gjatë dy mandateve të qeverisë aktuale”, tha Isa Mustafa.