Kurti në takim me ambasadorët e akredituar në Kosovë, diskutohet për Ligjin për të Huaj dhe atë të automjeteve
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, kanë pritur sot në takim ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë. Në kuadër të komunikimit të rregullt dhe zhvillimeve të fundit, kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, i njoftuan për fazat e…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, kanë pritur sot në takim ambasadorët, të ngarkuarit me punë, shefat e misioneve diplomatike dhe përfaqësues diplomatikë të akredituar në Kosovë.
Në kuadër të komunikimit të rregullt dhe zhvillimeve të fundit, kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Bislimi, i njoftuan për fazat e zbatimit të Ligjit për të Huaj dhe Ligjit për Automjete, ligje këto të harmonizuara me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe veprimet afirmative, që institucionet e Republikës së Kosovës do të ndërmarrin për zbatimin e plotë të këtyre dy ligjeve.
“Faza e parë e zbatimit, e cila nis sot, parasheh një periudhë informimi mbi zbatimin e dispozitave ligjore. Vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese, të cilat ofrojnë udhëzime të qarta mbi të drejtat, detyrimet dhe procedurat përkatëse që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi. Paralelisht do të organizohen sesioneve informuese me qytetarë, fushatë informimi përmes medieve, linja telefonike informuese, etj. Kjo fazë do të zgjasë deri më datën 15 mars të këtij viti, kur fillon zbatimi i plotë. Zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet synon lehtësimin e qëndrimit të shtetasve jorezidentë në Kosovë”,thuhet në njoftim.
Po ashtu kryeministri informoi ambasadorët e pranishëm mbi domosdoshmërinë e fillimit të integrimit gradual të sistemeve të shëndetësisë dhe arsimit, si pjesë e një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe afatgjate. Kryeministri tha se ky proces integruese do të bëhet në koordinim me Bashkimin Evropian dhe duke siguruar që brengat dhe këshillat e komunitetit joshumicë serb në Kosovë merren në konsideratë.
Kurti ritheksoi “përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e ligjit, zbatimin e barabartë të legjislacionit dhe forcimin e rendit juridik, duke u shprehur se periudha në vijim është thelbësore për funksionalizimin e plotë të këtyre proceseve.”/Lajmi.net/