Kryeziu: Takimet politike u bënë për të mos u marrë vesh

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu situatën aktuale rreth zgjedhjes së presidentit e ka cilësuar si një përvojë të re dhe të paprecedentë në historikun e shkurtër të Kosovës. Kryeziu në Politiko theksoi se në të kaluarën, në raste të zgjedhjes së kryetarit, kanë ekzistuar mekanizma të tjerë dhe lehtësira procedurale që kanë mundësuar zgjidhjen…

Lajme

04/03/2026 21:37

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu situatën aktuale rreth zgjedhjes së presidentit e ka cilësuar si një përvojë të re dhe të paprecedentë në historikun e shkurtër të Kosovës.

Kryeziu në Politiko theksoi se në të kaluarën, në raste të zgjedhjes së kryetarit, kanë ekzistuar mekanizma të tjerë dhe lehtësira procedurale që kanë mundësuar zgjidhjen e situatave të ngjashme.

“Sipas përvojës sime, gjatë historikut të shkurtër të Kosovës, kjo është një përvojë e re që nuk ka ndodhur më herët, është e paprecedentë. Herave tjera kur është zgjedhur kryetari ka pasur mekanizma të tjerë dhe ka pasur lehtësira,” deklaroi ai në Politiko.

Duke folur për takimet mes subjekteve politike, si atyre në pushtet ashtu edhe në opozitë, Kryeziu u shpreh se nuk ka pasur njohuri të mjaftueshme për përmbajtjen dhe saktësinë e tyre.

“Këto takime që kanë qenë mes subjekteve politike pozitare dhe opozitare nuk kemi pasur njohuri të mjaftueshme dhe nuk kanë qenë të sakta. Mund të flasim edhe nga aspekti i konspiracionit të komunikimit të tyre,” u shpreh ai.

Megjithatë, sipas tij, problemi thelbësor qëndron në mungesën e vullnetit për marrëveshje.

“Si ide e përgjithshme, unë e konsideroj se nuk janë takuar për t’u marrë vesh, por janë takuar për të mos u marrë vesh,” theksoi Kryeziu.