Kremlini konfirmon vizitën e shefit të CIA-s në Moskë: Putini s’u takua me John Ratcliffe
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ka vizituar Moskën për kontakte mes shërbimeve të inteligjencës amerikane dhe ruse, por gjatë qëndrimit të tij nuk është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin. Këtë e ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, pa dhënë detaje të mëtejshme. Peskov ka shtuar se…
Bota
Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ka vizituar Moskën për kontakte mes shërbimeve të inteligjencës amerikane dhe ruse, por gjatë qëndrimit të tij nuk është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin.
Këtë e ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, pa dhënë detaje të mëtejshme. Peskov ka shtuar se nuk ishin planifikuar bisedime mes Ratcliffe dhe Putinit.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Ratcliffe në Rusi që nga marrja e detyrës vitin e kaluar. Shefi i CIA-s udhëtoi drejt Moskës në një vizitë të paparalajmëruar, me një avion ushtarak amerikan nga Letonia, i cili u ul të martën në aeroportin “Vnukovo” dhe u largua nga kryeqyteti rus po atë mbrëmje.
Ratcliffe ka mbajtur kontakte me homologun e tij rus, Sergey Naryshkin, kreun e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, i cili edhe më herët kishte sinjalizuar gatishmërinë për t’u takuar me drejtorin e CIA-s.
Ndërkohë, Washingtoni i kërkoi Kievit të ndalonte përkohësisht sulmet ndaj Moskës dhe Shën Petersburgut gjatë vizitës së Ratcliffe në Rusi. Kjo kërkesë është konfirmuar nga zyrtarë ukrainas për disa media vendase.
Sipas raportimeve, vizita e Ratcliffe mund të ketë përfshirë diskutime për një moratorium të mundshëm ruso-ukrainas mbi sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe porteve, si dhe për një armëpushim të mundshëm në rajonet Sumy dhe Kharkiv, si hapa drejt një shtensionimi më të gjerë të situatës.
Ratcliffe vizitoi Rusinë në një kohë kur bisedimet e paqes mes Moskës dhe Kievit kanë ngecur, ndërsa Washingtoni është i fokusuar te lufta me Iranin. Pavarësisht vizitave të përsëritura në Rusi të të dërguarve të presidentit Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, Moska dhe Kievi vazhdojnë të kenë dallime të mëdha, veçanërisht për çështjet territoriale.